LajmeRajon

Arrestohet biznesmeni shqiptar, Ergys Agasi

Ergys Agasi është arrestuar në Elbasan, pasi prej muajsh ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme në kuadër të hetimeve për abuzimet me tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

Agasi ishte një prej personave ndaj të cilëve Gjykata e Posaçme kishte caktuar masën “arrest në burg”, por vendimi nuk ishte ekzekutuar në dhjetor 2025, pasi biznesmeni nuk ishte gjetur nga autoritetet.

Sipas akuzave të ngritura nga SPAK, Agasi dyshohet për “konkurrencë të paligjshme nëpërmjet dhunës”, “heqje të paligjshme të lirisë”, “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, “grup i strukturuar kriminal”, “kryerje të veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”.

Në vijim të hetimeve, ndaj Agasit është shtuar edhe akuza për korrupsion, ndërsa SPAK dyshon se kompani të ndryshme kanë transferuar miliona euro në llogaritë e kompanisë “EA Solution”, në formën e pagesave që, sipas hetimit, lidhen me përfitimin e tenderëve të AKSHI-t.

Hetimet kanë nxjerrë gjithashtu në pah pasuri të konsiderueshme të lidhura me Agasin. Në prill 2026, me kërkesë të SPAK-ut, u sekuestruan pasuri me vlerë mbi 40 milionë euro, mes tyre vila, apartamente, toka, automjete luksoze, llogari bankare, aksione në kompani dhe mjete lundruese.

Një tjetër element i dosjes lidhet me pretendimin e hetuesve se Agasi kishte përfituar edhe verëra dhe shampanje me vlerë rreth 950 mijë euro, të cilat sipas hetimit ishin dhënë si formë shpërblimi nga kompani që kishin fituar tenderë të AKSHI-t.

Related Articles

Back to top button
Close
Close