LajmeOpinion

26 shkolla që mbyllen, një dështim që nuk duhet të quhet optimizim

Një shtet që dëshiron të ketë të ardhme nuk duhet të pyetet vetëm sa shkolla mund të mbyllë. Duhet të pyetet sa familje mund të bindë të qëndrojnë, sa fëmijë mund të lindin dhe sa fshatra mund t’i mbajë gjallë. Sepse, kur mbyllet shkolla e fundit, nuk mbyllet vetëm një institucion arsimor. Mbyllet një pjesë e së ardhmes së atij vendi

Nga Naim KURTISHI

Vendimi për mbylljen e 26 shkollave rurale në Maqedoninë e Veriut nuk mund të trajtohet thjesht si një çështje teknike e “optimizimit të rrjetit shkollor”. Pas kësaj shifre fshihen 26 komunitete, familje dhe fëmijë që po përballen me një realitet gjithnjë e më të dhimbshëm: fshatrat po boshatisen dhe shteti po mbyll institucionet në vend që të pyesë pse po largohen njerëzit.

Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, argumenton se në disa prej këtyre shkollave nuk ka të regjistruar asnjë nxënës të klasës së parë dhe se në disa mësojnë vetëm pesë deri në tetë fëmijë. Ajo thotë gjithashtu se mbyllja synon socializimin dhe përmirësimin e cilësisë së arsimit.

Por këtu lind pyetja thelbësore: a po e zgjidhim problemin e braktisjes së fshatrave duke mbyllur shkollat, apo po e përshpejtojmë atë?

Shkolla rurale nuk është vetëm një ndërtesë me banka dhe tabela. Në shumë vendbanime ajo është institucioni i fundit publik që mban gjallë komunitetin. Kur mbyllet shkolla, familjet e reja kanë edhe një arsye më shumë për t’u larguar. Pastaj vjen mungesa e fëmijëve, pastaj mbyllet shërbimi tjetër, dhe në fund fshati mbetet vetëm një adresë në hartë.

Është e lehtë të thuhet se një shkollë me pesë apo tetë nxënës është ekonomikisht e paarsyeshme. Por shteti nuk duhet ta masë gjithçka vetëm me numra dhe kosto. Arsimi është investim, jo shpenzim që duhet eliminuar sapo numri i nxënësve bie.

Po, duhet të ketë cilësi. Po, fëmijët duhet të kenë mundësi të socializohen dhe të mësojnë në kushte të mira. Por para se t’u thuhet fëmijëve të udhëtojnë drejt një shkolle tjetër, duhet të garantohet transporti i sigurt, rrugët e sigurta dhe kushtet reale për ta bërë këtë ndryshim pa e dëmtuar fëmijën.

Vetë ministrja ka deklaruar se shkollat nuk duhet të mbyllen kur shkolla më e afërt është 15–20 kilometra larg ose kur rrugët janë të pasigurta. Por qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë transparencë: Cilat janë konkretisht 26 shkollat? Sa kilometra do të udhëtojë secili fëmijë? Kush do ta sigurojë transportin? Sa do t’i kushtojë shtetit transporti i nxënësve? Dhe çfarë plani ka për ato fshatra pas mbylljes së shkollës? Këto janë pyetje që nuk mund të zëvendësohen me termin “optimizim”.

Në të njëjtën kohë, numrat e rinj të arsimit janë alarmues. Janevska ka bërë të ditur se për vitin shkollor 2026/2027 deri tani janë regjistruar rreth 14.500 nxënës të klasës së parë, ndërsa në arsimin fillor ka rreth 200 paralele më pak dhe në arsimin e mesëm rreth 100 më pak. Kjo nuk është vetëm krizë e Ministrisë së Arsimit. Është krizë demografike, ekonomike dhe shoqërore.

Prandaj kritika ndaj ministres nuk duhet të jetë vetëm: “Mos i mbyllni shkollat!” Kritika duhet të jetë shumë më e fortë: “Çfarë po bëni që nesër të kemi fëmijë në ato shkolla?”

Sepse një ministër arsimi nuk duhet vetëm të menaxhojë pasojat e një vendi që po zbrazet. Duhet të kërkojë politika që e ndalojnë këtë zbrazje.

Mbyllja e 26 shkollave mund të jetë statistikisht e arsyeshme në disa raste, por politikisht dhe shoqërisht është një kambanë alarmi. Në vend që të krenohemi me “optimizimin”, duhet të shqetësohemi që kemi arritur në pikën ku shkollat po mbyllen sepse fëmijët po zhduken nga fshatrat.

Dhe për këtë, përgjegjësia nuk mund t’u lihet prindërve, mësuesve apo vetë fëmijëve.

Një shtet që dëshiron të ketë të ardhme nuk duhet të pyetet vetëm sa shkolla mund të mbyllë. Duhet të pyetet sa familje mund të bindë të qëndrojnë, sa fëmijë mund të lindin dhe sa fshatra mund t’i mbajë gjallë.

Sepse kur mbyllet shkolla e fundit, nuk mbyllet vetëm një institucion arsimor. Mbyllet një pjesë e së ardhmes së atij vendi.

(Autori është kryetar i Shoqatës së Pedagogëve Shqiptarë në Tetovë)

Related Articles

Back to top button
Close
Close