
Pesë shtetas shqiptarë, mes tyre tre të mitur dhe 79-vjeçarja, Hajrije Taushani, u kthyen në atdhe nga Siria në orën 01:20, në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme të institucioneve shqiptare për riatdhesimin e shtetasve shqiptarë që ndodhen ende në zonat e konfliktit dhe kampet në Siri.
Në aeroportin e Rinasit, për të ndjekur nga afër procesin e kthimit dhe pritjen e shtetasve, ishin Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, Koordinatorja Kombëtare kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, Lejdi Dervishi, përfaqësues të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, si dhe të strukturave të tjera shtetërore të përfshira në këtë proces.
“Mirë se u kthyet në shtëpi!”, shkroi ministri Lamallari, në një postim në rrjetet sociale, duke shpërndarë dhe pamjet e operacionit.
Mes të riatdhesuarve është shtetasja H.T., 79 vjeçe, e cila kishte udhëtuar drejt Sirisë pas humbjes së djalit të saj, i cili ishte larguar drejt këtij vendi për t’iu bashkuar formacioneve të ISIS-it. Ajo kishte shkuar me qëllim marrjen dhe kujdesin për nipërit e saj.
Pas rënies së strukturave territoriale të ISIS-it, H.T. kishte qëndruar në kampin Al-Hol, në kushte veçanërisht të vështira jetese, duke vijuar të kujdesej për fëmijë të mitur, përfshirë edhe dy fëmijë jetimë që ndodheshin nën kujdesin e saj.
Ministri Lamallari përgëzoi përfaqësuesit e të gjitha institucioneve të përfshira në Task-Forcën e ngritur me Urdhër të Kryeministrit, për përmbushjen e masave dhe koordinimin e nevojshëm për riatdhesimin e shtetasve shqiptarë nga zonat e konfliktit.
Procesi i riatdhesimit vijon përmes bashkëpunimit ndërinstitucional, me angazhimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministrisë së Arsimit.
Lamallari konfirmoi se institucionet shqiptare do të vijojnë punën për kthimin e të gjithë shtetasve shqiptarë që ndodhen ende në Siri, duke garantuar respektimin e procedurave ligjore dhe të sigurisë, si dhe mbrojtjen dhe trajtimin e përshtatshëm të të miturve.



