
Kina lëshoi të martën një raketë mbartëse “Marshimi i Madh-6C”, duke vendosur shtatë satelitë në hapësirë.
Raketa u nis më 11:21 të paradites (sipas orës së Pekinit) nga Qendra e Lëshimit të Satelitëve e Taiyuan-it në provincën Shanxi të Kinës Veriore dhe i dërgoi me sukses satelitët në orbitën e planifikuar.
Ky lëshim shënoi misionin e 665-të të fluturimit të serisë së raketave mbartëse “Marshimi i Madh”, sipas qendrës së lëshimit.
Dy satelitë me qartësi të lartë me Radar me Antenë Sintetike (SAR) – “Zhongke Sat-14” dhe “Zhongke Sat-15” – mbajnë ngarkesa të dedikuara të resë kompjuterike në hapësirë, duke kaluar kufirin tradicional midis gjurmimit në largësi dhe teknologjisë së resë kompjuterike për të krijuar një platformë të integruar që gërsheton gjurmimin satelitor me përpunimin në bord, sipas kompanisë prodhuese të këtyre satelitëve, “GalaxySpace”, një furnizuese kryesore për projektin e konstelacionit të satelitëve të internetit të Kinës.
Kompania theksoi që kjo shënon një përparim në fuqinë kompjuterike në hapësirë dhe është një hap i rëndësishëm në përpjekjet më të gjera të vendit për një rrjet kompjuterik me bazë në hapësirë.
“GISTDA Cube Sat 1”, gjithashtu i ndërtuar nga “GalaxySpace”, shënon eksportin e parë të satelitit të plotë dhe sistemit tokësor të kësaj kompanie në një vend partner të nismës “Një brez, një rrugë”. Sateliti, që i është dorëzuar Agjencisë së Zhvillimit të Gjeoinformatikës dhe Teknologjisë Hapësinore të Tajlandës (GISTDA), do të sigurojë të dhëna sipërfaqësore për përdorimin e tokës, bujqësinë e ekologjinë, duke mbështetur gjithashtu universitetet tajlandeze në projektimin e satelitëve, telemetrinë dhe arsimimin lidhur me gjurmimin në largësi.




