Kina tërheq nga tregu më shumë se 4 milionë automjete

Kina ka njoftuar tërheqjen nga tregu të më shumë se 4 milionë automjeteve, për shkak të shqetësimeve se pasagjerët dhe ekipet e shpëtimit mund të kenë vështirësi në gjetjen ose përdorimin e mekanizmave të emergjencës për hapjen e dyerve pas aksidenteve të rënda, transmeton AA.
Fushata e tërheqjes nga tregu përfshin Tesla dhe disa prodhues kinezë, përfshirë Xiaomi, XPeng, Geely dhe Leapmotor. Tesla përbën rreth 2,98 milionë nga automjetet e prekura, duke përfshirë automjetet Model 3 dhe Model Y të prodhuara në Kinë, si dhe një numër më të vogël automjetesh Model 3, Model S dhe Model X të importuara. Sipas rregullatorit kinez të tregut, mekanizmat e brendshëm mekanikë të emergjencës për hapjen e dyerve në automjetet Tesla të prekura mund të jenë të vështirë për t’u identifikuar, pasi ngjyra e tyre është e ngjashme me atë të pjesës së brendshme përreth.
Nëse një përplasje e rëndë çaktivizon sistemin elektrik të tensionit të ulët të automjetit, problemi mund të vonojë përpjekjet e pasagjerëve për t’u larguar dhe ta bëjë më të vështirë për ekipet e shpëtimit hapjen e dyerve, duke krijuar rrezik për sigurinë. Tesla do të vendosë etiketa paralajmëruese që identifikojnë mekanizmat e emergjencës dhe do të ofrojë një përditësim të softuerit përmes internetit, i cili është projektuar për t’i ulur automatikisht xhamat pas përplasjeve të caktuara. Xiaomi po tërheq nga tregu më shumë se 390.000 automjete elektrike SU7 për shkak të një problemi të ngjashëm, ndërsa tërheqja e Leapmotor përfshin më shumë se 371.000 automjete C01 dhe C11. Të dyja kompanitë do të vendosin gjithashtu etiketa paralajmëruese dhe do të ofrojnë përditësime të softuerit, të synuara për të përmirësuar aksesin pas një aksidenti.
Dorezat e sheshta dhe të fshehura janë bërë një tipar i zakonshëm i dizajnit të automjeteve elektrike, pjesërisht për shkak se ofrojnë një pamje më të pastër dhe mund të ndihmojnë në reduktimin e rezistencës aerodinamike. Megjithatë, këto dizajne janë përballur me një vëmendje në rritje lidhur me pyetjen nëse pasagjerët dhe ekipet e emergjencës mund t’i hapin shpejt dyert nëse një përplasje ndërpret furnizimin me energji elektrike.



