BotaLajme

Bitcoin në vlerë mbi 80 mijë dollarë, niveli më i lartë që nga maji

Çmimi i bitcoin-it mëngjesin e sotëm tejkaloi kufirin prej 80 mijë dollarësh, duke vazhduar rritjen e fortë të kriptomonedhës më të madhe në botë, të nxitur nga rikthimi i mjeteve në fondet e tregtuara në bursë (ETF) të lidhura me bitcoin-in dhe rritja e interesit të investitorëve për asetet me rrezik më të lartë.

 

Bitcoin-i mëngjesin e sotëm tregtohej me rreth 80.650 dollarë, ndërsa gjatë ditës arriti në rreth 81.200 dollarë, niveli më i lartë që nga maji. Krahasuar me fillimin e ditës, vlera e tij u rrit me rreth 2 për qind.

Kështu vazhdoi rritja e fortë e nisur javën e kaluar, kur bitcoin-i për vetëm disa ditë u shtrenjtua për më shumë se 20 për qind. Gjatë rritjes aktuale, çmimi i tij është rritur me rreth 25 për qind.

 

Rritjen e përshpejtoi më tej i ashtuquajturi “short squeeze”, kur rritja e çmimit të kriptomonedhave i detyron investitorët që kishin vënë bast për rënien e tyre të mbyllin pozicionet. Në tregun e kriptomonedhave janë likuiduar pozicione me vlerë mbi 4.3 miliardë dollarë, të hapura me pritshmërinë për rënie të çmimeve.

Rritja vijoi edhe pas njoftimit të Departamentit amerikan të Thesarit se të paktën do dyfishojnë shumat në operacionet për blerjen e obligacioneve afatgjata shtetërore. Vendimi fillimisht uli rendimentet e obligacioneve dhe rriti interesin për asetet me rrezik më të lartë, megjithëse rendimentet afatgjata ndërkohë u rritën sërish.

 

Njëkohësisht, shqetësimet për inflacionin, dobësimin e dollarit dhe borxhin publik amerikan kanë rritur më tej interesin për asetet me ofertë të kufizuar, ku disa investitorë përfshijnë edhe bitcoin-in.

Related Articles

Back to top button
Close
Close