LajmeSport

“Blindohet” katërkëndëshi/ Livakovic mbërrin në Barcelonë, gati të bëhet portieri i ri i katalanasve

Dominik Livakovic, portieri 31-vjeçar i Fenerbahçes dhe i kombëtares së Kroacisë, pritet të mbërrijë këtë pasdite në Barcelonë, për të finalizuar transferimin te Barcelona.

Barcelona do t’i paguajë Fenerbahçes rreth 4 milionë euro për shërbimet e portierit kroat. Shuma do të ndahet në 2 milionë euro fikse dhe 2 milionë të tjera në formën e bonuseve. Livakovic kishte edhe vetëm një vit të mbetur në kontratën e tij me klubin turk.

Pavarësisht se transferimi është shumë pranë zyrtarizimit, Barcelona ende nuk ka vendosur nëse Livakovic do të jetë pjesë e skuadrës që në këtë sezon.

Plani fillestar i klubit katalanas ishte që portieri kroat të huazohej te Dinamo Zagreb për sezonin e ardhshëm dhe të rikthehej në Barcelonë në verën e vitit 2027, kur përfundon kontrata e Wojciech Szczesny-t.

Megjithatë, ekziston edhe mundësia që Livakovic të qëndrojë menjëherë në skuadrën e Barcelonës si portier rezervë i Joan Garcias.

Vendimi do të varet kryesisht nga hapësira që Barcelona do të ketë në kuadër të rregullave të “fair play” financiar. Nëse klubi ka hapësirën e nevojshme në masën e pagave, Livakovic do të regjistrohet dhe do të jetë pjesë e skuadrës.

Në të kundërt, Barcelona do të kërkojë një tjetër huazim për të, me Dinamo Zagrebin si një prej destinacioneve të mundshme. Livakovic ishte huazuar te Dinamo nga janari i këtij viti, pasi më parë kishte qenë pjesë e Gironas në formë huazimi nga Fenerbahçe.

Në këtë skenar, portieri kroat do të rikthehej te Barcelona në verën e vitit 2027 për të marrë rolin e portierit të dytë të skuadrës.

Related Articles

Back to top button
Close
Close