
Është publikuar thirrja publike për realizimin e të drejtës për ushqim të subvencionuar studentor për vitin akademik 2026/2027, informojnë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh).
Të drejtë për ushqim të subvencionuar studentor kanë shtetasit e Maqedonisë së Veriut të cilët janë të regjistruar si studentë të rregullt në ciklin e parë ose të dytë të studimeve, si dhe në studime të integruara në institucionet e arsimit të lartë, publike ose private. Një kusht shtesë është që studenti të mos ketë të ardhura mujore, nga çfarëdo baze, më të larta se paga minimale neto në vend për vitin aktual.
Aplikimi bëhet në mënyrë elektronike përmes platformës së MASh-it, ndërsa kandidatët duhet të plotësojnë aplikimin për fitimin e të drejtës për ushqim të subvencionuar studentor dhe deklaratën për saktësinë e të dhënave të paraqitura, ndërsa dokumentet e nënshkruara duhet t’i bashkëngjisin në aplikacionin elektronik.
Afati për aplikimin e studentëve që tashmë kanë status studentor, si dhe i atyre që do të regjistrohen në vitin akademik 2026/2027, është nga 26 deri më 31 gusht 2026.
Nga tetori, aplikimi do të bëhet nga data 1 deri më 5 të çdo muaji gjatë vitit akademik. Kjo vlen për studentët që nuk e kanë fituar të drejtën përmes thirrjes publike, si dhe për ata të cilëve u ka përfunduar e drejta për shkak të mosplotësimit të ndonjë prej kushteve, por më vonë i plotësojnë përsëri kriteret.
Studentët që do ta fitojnë të drejtën për ushqim të subvencionuar do të fillojnë t’i marrin mjetet në muajin pas atij në të cilin kanë aplikuar.
Ushqimi i subvencionuar studentor është 140 denarë në ditë, mjete të destinuara për blerjen e ushqimit të përgatitur. E drejta mund të shfrytëzohet nga e hëna deri të shtunën, ndërsa shuma e pashfrytëzuar gjatë javës mbetet e disponueshme në llogari deri të shtunën.
E drejta nuk mund të shfrytëzohet gjatë periudhës nga 1 korriku deri më 1 tetor, si dhe gjatë festave shtetërore dhe ditëve të tjera jopune.
“Për realizimin e pagesave, MASh ka lidhur marrëveshje me Shparkase Bank SHA Shkup. Studentët që do ta fitojnë të drejtën duhet të lidhin marrëveshje me bankën për hapjen e një llogarie të veçantë, të lidhur me një kartelë pagese të dedikuar për ushqimin e subvencionuar studentor, pavarësisht nëse më parë kanë qenë klientë të bankës”, thuhet në njoftimin e ministrisë përkatëse.
Siç informojnë nga MASh, afati dhe mënyra e tërheqjes së kartelave do të publikohen më vonë.
Informacione shtesë për kushtet dhe mënyrën e aplikimit janë në dispozicion në thirrjen publike të MASh-it.
Për pyetje lidhur me aplikimin, studentët mund t’i drejtohen Sektorit për standardin e nxënësve dhe studentëve në adresën elektronike [email protected].



