
Çmimi i dizelit në Maqedoni që nga fillimi i sulmeve amerikano-izraelite ndaj Iranit e deri më tani është rritur për më shumë se 30 denarë për litër, përkatësisht për rreth 43 përqind. Benzinat gjatë së njëjtës periudhë janë shtrenjtuar për gati 20 denarë, ose rreth 26 përqind raporton 360Gradë.
Sipas shtrenjtimit të ri të shpallur sot nga Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRRE), i cili do të hyjë në fuqi sonte në mesnatë, çmimi i dizelit rritet për 3,5 denarë dhe do të jetë maksimalisht 101,5 denarë për litër. Benzinat shtrenjtohen për 1,5 denarë – Eurosuper BS-95 do të kushtojë 93, ndërsa BS-98 95 denarë për litër.
Për krahasim, më 28 shkurt, kur SHBA-ja dhe Izraeli filluan sulmet ndaj Iranit, çmimi maksimal i Eurosuper BS-95 në vend ishte 73,5 denarë, BS-98 kushtonte 75,5 denarë, ndërsa dizeli 71 denarë për litër.
Kjo do të thotë se për gati gjashtë muaj:
Eurosuper BS-95 është shtrenjtuar për 19,5 denarë, përkatësisht 26,5 përqind;
Eurosuper BS-98 është shtrenjtuar gjithashtu për 19,5 denarë, ose 25,8 përqind;
dizeli është shtrenjtuar për 30,5 denarë për litër, që paraqet rritje prej 43 përqind.
E llogaritur për një rezervuar prej 50 litrash, diferenca është edhe më e madhe. Mbushja e rezervuarit me dizel tani kushton 5.075 denarë, krahasuar me 3.550 denarë më 28 shkurt – ose 1.525 denarë më shumë. Për 50 litra BS-95 tani nevojiten 4.650 denarë, që është 975 denarë më shumë se 3.675 denarë, sa kushtonte në fillim të sulmeve ndaj Iranit.
Goditja më e madhe ndaj çmimeve erdhi menjëherë pas fillimit të luftës. Që më 9 mars, KRRE-ja miratoi vendim me të cilin dizeli u shtrenjtua për 14,5 denarë – në 85,5 denarë për litër, ndërsa BS-95 arriti në 79,5 denarë.
Më pas, Qeveria ndërhyri me masa fiskale. TVSH-ja për karburantet u ul nga 18 në 10 përqind, ndërsa u ulën edhe akcizat – për katër denarë te dizeli dhe për dy denarë te benzina.
Megjithatë, çmimet vazhduan të rriten, me ulje periodike. Më 7 korrik, BS-95 kushtonte 85,5 denarë, ndërsa dizeli 82,5 denarë. Tre javë më vonë, çmimet u rritën në 93 denarë për BS-95 dhe 98,5 denarë për dizelin.
Me vendimin e sotëm, dizeli për herë të parë në këtë periudhë kalon kufirin prej 100 denarësh dhe nga mesnata do të kushtojë maksimalisht 101,5 denarë për litër.
Rritja e çmimeve vendase vjen në kushtet e paqëndrueshmërisë së vazhdueshme në tregun botëror të naftës për shkak të luftës me Iranin dhe pengimit të transportit përmes Ngushticës së Hormuzit.
KRRE-ja thekson se çmimet e përcaktuara janë çmime maksimale, që do të thotë se tregtarët me shumicë dhe pakicë mund t’i shesin karburantet edhe me çmime më të ulëta.



