
Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, ka bërë të ditur se vendi i tij ka vendosur të pezullojë negociatat tregtare me SHBA-në, duke përmendur përparimin e pamjaftueshëm në bisedime, transmeton Anadolu.
Carney tha se Otava kishte punuar për të “arritur një marrëveshje të drejtë që do të siguronte qasje sa më të mirë në tregun amerikan dhe më shumë siguri për bizneset dhe punëtorët kanadezë”.
“Bëmë përparim të rëndësishëm drejt përmirësimit të pozitës së Kanadasë, duke pasur marrëveshjen më të mirë në botë me SHBA-në. Megjithatë, ky përparim nuk ka qenë i mjaftueshëm për të përmbushur objektivat tona për kanadezët. Si rezultat, këtë mbrëmje vendosa të pezulloj negociatat tregtare me SHBA-në dhe udhëzova negociatorët e Kanadasë të kthehen në Otava”, tha Carney.
Carney tha se negociatorët kanadezë kishin punuar “shumë dhe me mirëbesim” për të mbrojtur interesat e vendit deri në “minutën e fundit”.
“Megjithatë, ndryshimet e minutës së fundit në kushtet e propozuara nga SHBA-ja ishin të padrejta, ekonomikisht të pafavorshme dhe vunë në pikëpyetje besueshmërinë e çdo marrëveshjeje”, tha ai.
Carney tha se SHBA-ja synonte të vendoste në mesnatë tarifa prej 50 për qind ndaj mallrave kanadeze me vlerë rreth 28 miliardë dollarë.
“Kanadaja do t’u përgjigjet këtyre tarifave dollar për dollar për të mbrojtur punëtorët dhe bizneset tona”, tha ai.
Negociatat tregtare në Washington rifilluan dje në mëngjes, përpara afatit të mesnatës kur pritej të hynin në fuqi tarifa prej 50 për qind ndaj mallrave kanadeze me vlerë 30 miliardë dollarë kanadezë (22 miliardë dollarë amerikanë).
Të dyja palët kishin deklaruar se ishin pranë arritjes së një marrëveshjeje, ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump, të mërkurën tha se ishte arritur një marrëveshje “shumë e drejtë”.


