
Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve se si e komenton vendimin e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar, e udhëhequr nga Islam Abazi, për ta ndërprerë procedurën lidhur me ndërtimin dhe vendosjen e spitaleve modulare, pa ngritur ndjekje penale ndaj asnjë personi fizik apo juridik, deklaroi:
“Publiku duhet ta dijë se ky është një proces që zgjat tashmë pesë vjet. Një proces që gjatë këtyre pesë viteve ka nxitur shumë informacione dhe diskutime. Por ajo që është më e rëndësishmja të theksohet është se në spitalin modular në Tetovë u dogjën të gjallë 14 njerëz. Po e përsëris: 14 njerëz u dogjën të gjallë në spitalin modular në Tetovë.
Për fat të keq, prokurori që tashmë është në largim nga funksioni – pasi, sipas informacioneve që kam, është shpallur konkurs për zgjedhjen e një prokurori të ri në Prokurorinë Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar – me sa duket ka vendosur t’i përmbushë deri në fund detyrimet e tij ndaj qeverisë së kaluar. Atij nuk i bën përshtypje fakti që 14 njerëz u dogjën të gjallë. Po e përsëris: 14 njerëz u dogjën të gjallë dhe ai vendos ta ndalojë këtë proces.
Por dua që publiku ta dijë se kjo nuk është një amnisti politike nga ana e këtij prokurori për ish-urdhërdhënësit e tij, sepse gjithmonë mund të dalin prova ose detaje të reja që lidhen me këtë rast dhe procesi mund të rihapet nga e para.
Kam komentuar shumë herë vendimet e sistemit tonë të drejtësisë dhe, për fat të keq, kjo është një prej atyre vendimeve skandaloze. Ajo që më habit është mesazhi që vjen nga opozita: deri dje ata kritikonin organet e drejtësisë, ndërsa sot i lavdërojnë dhe flasin me superlativa për punën dhe të ashtuquajturin objektivitet të tyre.
Por po e përsëris: ky prokuror dhe njerëzit që e udhëhoqën këtë rast nuk gjetën prova për kryerjen e një vepre penale në një rast ku njerëz u dogjën të gjallë.



