LajmeMaqedoniTopLajm

Shabani me reagim: Për përfaqësimin nuk flitet vetëm me shifra, por punohet me masa konkrete

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Admir Shabani përmes një postimi në profiln e tij ka reaguar ndaj akuzave të djeshme për Akademinë Ushtarake duke shkruar se “Për përfaqësimin nuk flitet vetëm me shifra, por punohet me masa konkrete”, shkruan Top24
Lidhur me reagimet e publikuara për listën preliminare të kandidatëve për pranimin e kadetëve në Akademinë Ushtarake, ndiej obligim ndaj opinionit publik që të paraqes disa fakte dhe të mos lejoj që një çështje kaq e rëndësishme të reduktohet në akuza ditore politike.
Para së gjithash, duhet të theksohet qartë se bëhet fjalë për një listë preliminare dhe jo për listën përfundimtare të kandidatëve të pranuar. Prandaj, nxjerrja e përfundimeve politike për rezultatin përfundimtar të konkursit, përpara përfundimit të procedurës, është së paku e parakohshme.
Si Zëvendësministër i Mbrojtjes dhe përfaqësues i VLEN-it në Ministrinë e Mbrojtjes, përfshirjen më të madhe të të rinjve shqiptarë në sistemin e mbrojtjes e konsideroj një çështje me rëndësi të veçantë. Pikërisht për këtë arsye, që nga publikimi i konkursit janë ndërmarrë aktivitete për promovimin e tij në kohë. Informacioni është shpërndarë në çdo formë, gjë që asnjë paraardhës i imi nuk e ka bërë.
Të rinjtë janë informuar dhe inkurajuar që të aplikojnë.
Megjithatë, ekziston edhe një fakt që nuk duhet anashkaluar: brenda afatit të paraparë vetëm dy kandidatë shqiptarë u paraqitën dhe dorëzuan dokumentacionin përkatës.
As Ministria e Mbrojtjes, as Zëvendësministri dhe as ndonjë strukturë politike nuk mund të krijojnë në mënyrë administrative kandidatë nëse nuk ekziston numër i mjaftueshëm i të rinjve të interesuar që aplikojnë dhe i plotësojnë kushtet e përcaktuara në konkurs.
Dhe pikërisht këtu qëndron sfida reale.
Çështja nuk duhet të reduktohet vetëm në pyetjen se sa shqiptarë gjenden në një listë preliminare. Duhet të analizojmë seriozisht pse interesimi i të rinjve për profesionin ushtarak është i ulët, si mund ta bëjmë këtë profesion më tërheqës dhe si mund t’i informojmë dhe motivojmë më mirë të rinjtë për mundësitë që ofron sistemi i mbrojtjes.
Gjeneratat e reja kanë pritshmëri të ndryshme profesionale. Ato kërkojnë arsim cilësor, zhvillim profesional, siguri ekonomike, kushte bashkëkohore të punës dhe perspektivë të qartë për karrierë. Detyra jonë nuk është t’i kritikojmë për këto pritshmëri, por të ndërtojmë një sistem që do të jetë në gjendje t’i tërheqë dhe t’u ofrojë perspektivë.
Prandaj, puna ime nuk përfundon me këtë konkurs.
Do të vazhdojmë me promovim më të fuqishëm të Akademisë Ushtarake në mesin e të rinjve, informim në kohë për konkurset, komunikim më të drejtpërdrejtë me kandidatët potencialë dhe prezantim të mundësive për arsimim, zhvillim profesional dhe karrierë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Armatë.
Synimi ynë është që në gjeneratat e ardhshme të kemi një numër dukshëm më të madh të kandidatëve shqiptarë të interesuar dhe cilësorë, të cilët, mbi bazën e kritereve të përcaktuara dhe rezultateve të tyre, do të bëhen pjesë e sistemit.
Si përfaqësues i VLEN-it në Ministrinë e Mbrojtjes, qëndrimi im është i qartë: përfaqësimi i drejtë dhe adekuat nuk duhet të bëhet temë vetëm kur publikohet një listë. Ai kërkon punë të vazhdueshme, krijim të kuadrove, motivim të të rinjve dhe hapje të mundësive reale për zhvillimin e tyre profesional.
Kritika është legjitime dhe e nevojshme në një shoqëri demokratike. Por kur pretendohet se “nuk është ndërmarrë asgjë”, atëherë opinioni publik meriton t’i dijë edhe faktet dhe punën që është bërë.
Në vend të akuzave të ndërsjella politike, i ftoj të gjithë ata që realisht dëshirojnë përfaqësim më të madh të shqiptarëve në institucionet e sigurisë dhe mbrojtjes që të kontribuojnë në motivimin e të rinjve për të aplikuar, për t’u arsimuar dhe për të ndërtuar karrierë profesionale në institucionet e shtetit.
Nuk do të premtojmë vetëm shifra në letër. Do të krijojmë mundësi, do të motivojmë të rinjtë dhe do të punojmë për rezultate konkrete që do të shihen në gjeneratat që vijnë.

 

Related Articles

Back to top button
Close
Close