BotaKurioziteteLajme

Vaksina e re kundër kancerit të lëkurës parandalon rikthimin e melanomës

Një trajtim i personalizuar kundër kancerit ka dhënë rezultate premtuese në parandalimin e rikthimit të melanomës, sipas kompanive amerikane farmaceutike Merck dhe Moderna. Rezultatet e provës klinike në fazën e fundit janë përshëndetur nga ekspertët si një “zbulim i rëndësishëm” që mund të hapë një rrugë të re në trajtimin e kancerit.

Lajmi bëri që aksionet e Modernas të rriteshin me 145%, duke arritur në 154 dollarë, ndërsa aksionet e Merck u rritën me më shumë se 12%, në 152 dollarë.

Ilaçi, i quajtur “intismeran autogene”, bazohet në të njëjtën teknologji të ARN-së lajmëtare (mRNA) që përdoret edhe në vaksinat kundër COVID-19.

Studiuesit janë përpjekur prej vitesh të përdorin trajtimet me mRNA kundër kancerit, por kjo ishte hera e parë që një trajtim i tillë dha rezultate pozitive në një provë klinike të madhe, në fazën e fundit.

“Dita e sotme shënon një moment historik për Moderna-n, për shkencën e mRNA-së dhe, më e rëndësishmja, për pacientët me kancer”, tha në një deklaratë drejtori ekzekutiv i Moderna-s, Stephane Bancel.

Prova zgjati rreth një vit dhe përfshiu 1137 pacientë. Pasi tumoret e tyre u hoqën me ndërhyrje kirurgjikale, pacientët u ndanë rastësisht në grupe. Dy të tretat morën trajtimin e ri së bashku me pembroli zumab-in, ilaçin që aktualisht konsiderohet trajtimi standard, ndërsa pjesa tjetër mori vetëm pembroli zumab.

Kompanitë thanë se do t’i paraqesin të dhënat në një konferencë ndërkombëtare që do të zhvillohet së shpejti dhe do të nisin procedurat për të kërkuar miratimin e autoriteteve rregullatore.

Dëshmi se parimi funksionon

Lennard Lee, onkolog dhe profesor asistent në Universitetin e Oksfordit, i cili nuk mori pjesë në këtë provë, i cilësoi rezultatet “shumë inkurajuese”, duke shtuar: “Tani duhet të presim të shohim të dhënat e plota.”

Onkologu Marco Gerlinger, profesor në Institutin e Kancerit Barts në Londër, tha se, përveçse janë një lajm i mirë për pacientët me melanomë, rezultatet përbëjnë edhe “dëshmi se vaksinat e personalizuara kundër kancerit funksionojnë”.

“Besoj se është e drejtë ta quajmë një përparim të madh në zhvillimin e imuno-terapive të reja kundër kancerit”, shtoi ai, duke vënë në dukje megjithatë se njoftimi për shtyp përmbante pak detaje.

Trajtimi funksionon duke marrë një mostër nga tumori i pacientit dhe duke identifikuar shenjat unike të mutacioneve të tij, ose “gjurmën e gishtit”. Më pas, përdoret teknologjia mRNA për të luftuar këto karakteristika specifike të tumorit.

Teknologjia e ARN-së lajmëtare përdor udhëzime molekulare sintetike, të futura në flluska shumë të vogla yndyrore, të cilat hyjnë përkohësisht në qeliza. Këto udhëzime i bëjnë qelizat të prodhojnë struktura që ndihmojnë në stërvitjen e sistemit imunitar për të njohur dhe sulmuar objektivin.

Teknologjia u konceptua për herë të parë disa dekada më parë, por mori një hov të madh gjatë pandemisë së COVID-19, kur Moderna dhe Pfizer zhvilluan vaksina që rezultuan shumë efektive në parandalimin e formave të rënda të sëmundjes.

Melanoma është një nga format më vdekjeprurëse të kancerit të lëkurës. Në vitin 2022, në mbarë botën u diagnostikuan më shumë se 330,000 raste të reja.

“Së bashku me Merck, tani po studiojmë intismeran-in në kombinim me pembroli zumab-in dhe trajtime të tjera kundër kancerit, si edhe si trajtim më vete, në lloje dhe faza të ndryshme të kancerit, përfshirë melanomën, kancerin e mushkërive, fshikëzës së urinës dhe veshkave”, tha Bancel. /NBC News – Syri.net

Related Articles

Back to top button
Close
Close