LajmeMaqedoniTopLajm

Veliu nga BDI: Situata me virusin e NILIT alarmante në Shkup

Sot po flasim për përkeqësimin serioz të situatës me virusin e Nilit Perëndimor në vend.

Janë regjistruar 38 raste dhe katër viktima. Tridhjetë e shtatë nga të prekurit janë nga rajoni i Shkupit. Pas këtyre shifrave qëndrojnë katër jetë të humbura dhe katër familje që kanë humbur më të dashurit e tyre.

Rasti i parë është paraqitur më 15 maj. Qeveria e kishte paralajmërimin pothuajse tre muaj para shpalljes së epidemisë.

Më 27 korrik ishin regjistruar tetë raste dhe ishte konfirmuar transmetimi i virusit brenda vendit. Spërkatja emergjente filloi më 30 korrik. Epidemia u shpall më 12 gusht, pasi numri arriti në 26 raste dhe ishte regjistruar viktima e parë.

Këto të dhëna tregojnë se institucionet reaguan me vonesë.

Prandaj, sot shtrojmë disa pyetje të drejtpërdrejta:

Çfarë ndërmori Qeveria pas paraqitjes së rastit të parë më 15 maj?

Kush ishte përgjegjës për mbikëqyrjen epidemiologjike dhe kontrollin e mushkonjave?

Pse kontrolli i komunave u intensifikua vetëm pasi epidemia kishte marrë jetë njerëzish?

Kush e kontrolloi efektivitetin e dezinsektimit?

Këto janë çështje të sigurisë shëndetësore kombëtare. Qytetarët kanë të drejtë të marrin përgjigje të plota dhe në kohë.

Virusi i Nilit Perëndimor, mënyra e transmetimit, grupet e rrezikuara dhe masat parandaluese njihen prej vitesh. Sistemi shëndetësor duhej ta mbikëqyrte rrezikun dhe të vepronte para se pacientët të përfundonin në spital me forma të rënda të sëmundjes.

Maqedonia e Veriut merr të dhëna nga ECDC-ja dhe merr pjesë në programin EU4Health. Paralajmërimet ekzistonin. Dështoi zbatimi i masave, koordinimi ndërmjet institucioneve dhe kontrolli i komunave.

BDI kërkon:

1. Aktivizimin e menjëhershëm të Planit Kombëtar për përballjen me virusin e Nilit Perëndimor.

2. Mbikëqyrje të përforcuar epidemiologjike dhe kontroll sistematik të mushkonjave, veçanërisht në zonat me rrezik të shtuar.

3. Koordinim të qartë ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit dhe Qendrave të Shëndetit Publik, komunave, institucioneve veterinare dhe atyre mjedisore.

4. Informim të rregullt të publikut për numrin e të prekurve, zonat me rrezik dhe masat që po ndërmerren.

5. Publikimin e të gjitha kontratave për dezinsektim, kompanive të angazhuara, shumave të paguara, datave të spërkatjes dhe zonave të trajtuara.

Publiku duhet të dijë kush ka vepruar, kush ka dështuar dhe ku kanë përfunduar paratë publike.

I bëjmë thirrje qytetarëve të përdorin mjete kundër mushkonjave, të veshin rroba që mbulojnë duart dhe këmbët, të vendosin rrjeta në dritare dhe të largojnë ujin e ndenjur nga oborret, ballkonet dhe enët.

Pas 38 rasteve dhe katër jetëve të humbura, Qeveria nuk ka më hapësirë për vonesa dhe improvizime.

Nevojiten masa urgjente, transparencë e plotë dhe përgjegjësi.

Ju faleminderit.

Related Articles

Back to top button
Close
Close