
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut vazhdojnë të përballen me një valë mesazhesh të rrejshme, të cilat duken sikur janë dërguar nga sistemi “Safe City” apo institucionet shtetërore dhe përmbajnë njoftime për gjoja shkelje në komunikacion, shkruan Top24
Në këto mesazhe, qytetarëve u kërkohet të klikojnë në një link për të kontrolluar detajet e shkeljes ose për të kryer pagesën e një gjobe të pretenduar. Megjithatë, bëhet fjalë për një mashtrim të njohur si phishing/smishing, me qëllim marrjen e të dhënave personale dhe bankare të qytetarëve.
Edhe Qendra Kombëtare për Reagim ndaj Incidenteve Kompjuterike – MKD-CIRT ka paralajmëruar për një fushatë mashtruese me SMS, ku qytetarët informohen rrejshëm për një gjobë të papaguar dhe orientohen drejt linkeve të dyshimta.
Ministria e Punëve të Brendshme ka apeluar vazhdimisht që qytetarët të mos hapin linke të dyshimta dhe të mos ndajnë të dhëna personale apo bankare. Sipas paralajmërimeve, mesazhet mashtruese mund të dërgohen përmes SMS-ve, e-mailit, aplikacioneve mobile apo rrjeteve sociale.
Qytetarëve u rekomandohet që të mos klikojnë në linket e përfshira në mesazhe të dyshimta, të mos kryejnë pagesa dhe të mos vendosin të dhënat e kartelave bankare.
Nëse dikush ka futur tashmë të dhënat e pagesës, rekomandohet që menjëherë të kontaktojë bankën përkatëse dhe të kërkojë bllokimin e kartelës.
Kujdes: Mos u besoni çdo mesazhi që mban emrin “Safe City” – kontrolloni gjithmonë burimin përpara se të klikoni ose të kryeni ndonjë pagesë.





