
Zogjtë e ngordhur dhe rastet e Etheve të Nilit Perëndimor kanë shtuar shqetësimin te banorët e Shkupit. Agjencia për Ushqim dhe Veterinari ka pranuar rreth 100 raportime për zogj të ngordhur.
Nga AUV sqarojnë se një zog i vetëm i ngordhur nuk do të thotë domosdoshmërisht se është infektuar me virusin. Megjithatë, nëse në të njëjtën zonë dhe brenda një periudhe të shkurtër vërehen disa zogj të ngordhur, veçanërisht korba, qytetarët duhet ta raportojnë rastin dhe të mos i prekin apo zhvendosin.
Virusi i Nilit Perëndimor qarkullon natyrshëm mes zogjve dhe mushkonjave, kryesisht të gjinisë Culex. Mushkonjat infektohen pasi pickojnë zogj të infektuar dhe më pas mund ta transmetojnë virusin te njerëzit përmes pickimit.
Zogjtë janë nikoqirët kryesorë natyrorë të virusit, ndërsa njerëzit dhe gjitarët e tjerë konsiderohen nikoqirë të rastësishëm. Disa lloje të korbave janë veçanërisht të ndjeshme ndaj infeksionit dhe mund të shërbejnë si sinjal për qarkullimin e virusit në një zonë.
Megjithatë, autoritetet theksojnë se zogjtë mund të ngordhin edhe për shumë arsye të tjera dhe vetëm analizat laboratorike mund të konfirmojnë praninë e virusit. Në një rast të raportuar më herët në Gostivar, te një zog i ngordhur nuk është zbuluar virusi i Nilit Perëndimor.
Sipas të dhënave shëndetësore, rreziku kryesor për njerëzit mbetet pickimi nga mushkonjat e infektuara. Për këtë arsye, qytetarët këshillohen të shmangin pickimet dhe të mos prekin kafshët e ngordhura me duar të zhveshura.
Institucionet veterinare dhe shëndetësore në Evropë përdorin monitorimin e zogjve, mushkonjave dhe kuajve si pjesë të sistemeve të paralajmërimit të hershëm për virusin.
Në këtë situatë, AUV thekson se prania e disa zogjve të ngordhur në të njëjtën zonë mund të jetë arsye për marrjen e mostrave dhe kryerjen e analizave, por një rast i vetëm nuk duhet të shkaktojë panik.



