
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për media pas takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Ai tha se kanë folur për kriterët që duhet t’i ketë një president.
Tutje, Kurti ka thënë se është i gatshëm për takime edhe me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza dhe atë të Aleancës, Ardian Gjini.
“Nuk mund të sillemi thuajse unë nuk kam provuar të takohem me subjektet e tjera. Unë kam hasur në refuzime nga subjektet, ju e dini që kryetari i Aleancës refuzon takim me mua, ndërsa kryetari i PDK është takuar një herë. Unë e falënderoj për komunikimin që kemi zhvilluar sepse me duhet ta pranoj që edhe kur nuk kemi takime ne kemi komunikim, shumë mirë do të ishte të kishim takime, sepse kur kemi takime ka diskutime që na çojnë në marrëveshje. Kjo tashmë nuk varet prej meje, por nëse ka sadopak vullnet nga ana e PDK-së ose Aleancës, ose të dyja, për takime për një marrëveshje unë jam më shumë sesa i gatshëm dhe i interesuar, por rrethanat që ndodhemi është rrethanë e imponuar dhe kur intensivisht kemi nisur bisedime shumë serioze me LDK”, ka thënë ai.



