
Që nga shpallja e epidemisë më 19 korrik, në Gostivar janë evidentuar gjithsej 1.149 persona të prekur nga enterokoliti, përkatësisht infeksioni i stomakut. Nga ISHP-ja sqarojnë se kjo shifër bazohet vetëm në rastet e raportuara zyrtarisht nga mjekët, ndërsa numri real mund të jetë më i lartë, pasi një pjesë e qytetarëve nuk janë paraqitur për kontroll mjekësor. Sipas buletinit të ISHP-së, epidemia është raportuar fillimisht si një epidemi e gastroenteritit, me dyshimin se mund të jetë shkaktuar nga uji. Në fillim ishin raportuar 140 të sëmurë dhe 9 të hospitalizuar, ndërsa epidemia vazhdon ende.
Ndërkohë, më 17 korrik ishte vendosur ndalesë për përdorimin e ujit të Gostivarit për pije, pasi inspektorët zbuluan ndotje të rëndë të sistemit të furnizimit. Analizat e publikuara më vonë treguan nivele jashtëzakonisht të larta të baktereve koliforme në ujë. Pas disa javësh ndalesë, më 14 gusht disa zyrtarë lokalë dhe shtetërorë pinë ujë nga çezma në Gostivar, duke deklaruar se analizat e fundit kanë konfirmuar se uji është mikrobiologjikisht dhe bakteriologjikisht i sigurt për konsum.



