LajmeMaqedoniTopLajm

Levica: Po vidhet nga studentët për t’u dhënë pensionistëve VMRO-DPMNE e paguan makinerinë e saj zgjedhore me paratë e të rinjve

Levica përmes një video-adresimi akuzon se studentët tashmë tre vite nuk e marrin shumën e subvencionuar të ushqimit studentor, e cila sipas ligjit duhej të harmonizohej me inflacionin. Partia thotë se, pavarësisht vërejtjeve publike të tyre, Qeveria dhe Ministria e Arsimit nuk kanë dhënë përgjigje mbi këto pretendime.

Sipas Levicës, shuma e subvencionuar e ushqimit studentor ka mbetur 140 denarë, edhe pse në përputhje me rritjen e çmimeve sot duhej të ishte rreth 165 denarë. Nga kjo ata llogarisin se studentët marrin rreth 650 denarë më pak në muaj nga shuma që, sipas tyre, duhej t’u takonte.

Partia pretendon se, duke marrë parasysh numrin e përfituesve dhe periudhën kur nuk është bërë harmonizimi, diferenca totale arrin rreth 6,5 milionë euro.

Nga Levica theksojnë se nuk e kundërshtojnë rritjen e pensioneve, por mënyrën se si Qeveria, sipas tyre, e krijon politikën sociale. “Problemi nuk është që një palë marrin më shumë, por që pala tjetër kundërligjshëm merr më pak”, thuhet në kumtesë, duke akuzuar pushtetin se merr vendime sipas përfitimit politik.

Sipas tyre, veçanërisht shqetësues është fakti që kjo politikë zbatohet në kushte kur një numër i madh të rinjsh po e lënë vendin. Levica pyet se si Qeveria planifikon t’i mbajë të rinjtë në vend nëse, siç pretendojnë, nuk u sigurohen as të drejtat e parashikuara me ligj për standardin studentor.

Levica paralajmëron se do të dorëzojë një ndryshim ligjor me të cilin do të sigurohej që shuma e subvencionuar e ushqimit studentor të harmonizohet detyrimisht me inflacionin.

Partia shton se me rritjen eventuale të shumës nuk duhet të mbyllet çështja, sepse, sipas tyre, mbetet përgjegjësia për mos-harmonizimin trevjeçar.

“6,5 milionë euro është masa e qëndrimit të kësaj qeverie ndaj të rinjve”, thanë nga Levica, duke akuzuar se Qeveria i ka vënë studentët në plan të dytë.

Related Articles

Back to top button
Close
Close