
Në disa komuna të Shkupit është shpallur epidemi e etheve të Nilit Perëndimor, ndërsa autoritetet shëndetësore u bëjnë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm dhe të marrin masa për mbrojtje nga mushkonjat.
Sipas të dhënave deri më 11 gusht 2026, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 26 raste të etheve të Nilit Perëndimor, 25 prej tyre në Shkup. Një pacient ka ndërruar jetë.
Për të ulur rrezikun e infektimit, ekspertët rekomandojnë:
Të mos lini ujë të ndenjur në oborr apo pranë shtëpisë.
Të pastroni rregullisht ulluqet dhe enët ku mund të mblidhet ujë.
Të vendosni rrjeta mbrojtëse në dritare dhe dyer.
Të përdorni repelentë kundër mushkonjave.
Të vishni rroba të gjata dhe me ngjyra të çelëta.
Të shmangni qëndrimin jashtë në agim dhe muzg, kur mushkonjat janë më aktive.
Të mirëmbani pishinat, fontanat dhe hapësirat e tjera me ujë.
Të përdorni masa mbrojtëse gjatë punëve në oborr dhe kopsht.
Të ndërroni rregullisht ujin në enët e shpendëve dhe kafshëve.
Nëse shfaqen temperaturë, dhimbje koke, lodhje, dhimbje muskujsh, qafë të ngrirë ose çrregullime të vetëdijes, të kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore.
Ethet e Nilit Perëndimor transmetohen përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Shumica e personave të infektuar nuk kanë simptoma, por në raste të rralla sëmundja mund të shkaktojë komplikime serioze neurologjike.
Autoritetet po zbatojnë mbikëqyrje të shtuar epidemiologjike dhe masa për kontrollin e mushkonjave në zonat me rrezik.
Parandalimi mbetet mbrojtja më e mirë: eliminoni ujin e ndenjur, përdorni repelentë dhe shmangni pickimet e mushkonjave. (INA)



