
Pacientët onkologjikë në Maqedoninë e Veriut prej dy muajsh janë pa mundësi për të kryer skenerin TEP në institucionet publike, ndërsa një pjesë e tyre detyrohen ta paguajnë ekzaminimin privatisht. Pagesa në klinika private shkon deri në 1.300 euro. Ndërkohë, vonesat në furnizimin me ilaçe po e rëndojnë edhe më tej situatën, raporton TvTelma.
Për të funksionuar i vetmi skaner shtetëror TEP, pritet vaji i cili duhet të eksportohet nga SHBA-ja, thonë për Telma-n nga kompania përgjegjëse për servisimin. Pacientët onkologjikë kanë mbetur pa këtë ekzaminim për dy muaj, ndërsa disa prej tyre po e paguajnë edhe privatisht.
NET-Elektroniks është kompania që në mars të këtij viti fitoi tenderin për këtë qëllim, ndërsa servisin e rregullt e kreu në qershor, kur u shfaq një problem me vakumin e sistemit. Atëherë u konstatua se duhej të zëvendësoheshin pjesë në pompën e difuzionit, përkatësisht ngrohësi i vajit.
“Në përputhje me rregullat e servisimit të prodhuesit, është e detyrueshme të bëhet edhe zëvendësimi i vajit për vakum të lartë në të, pavarësisht vjetërsisë së tij. Sipas informacioneve tona, vaji (Santovac 5) është produkt i kompanisë Santolubes nga SHBA-ja dhe klasifikohet si produkt me përdorim të dyfishtë. Për të bërë eksportin e tij në Maqedoni nevojiten leje të posaçme eksporti të lëshuara nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian. Për fat të keq, procedura për marrjen e këtyre lejeve zgjat disa javë, pasi më parë duhet të dorëzohen në mënyrë të plotë kërkesat për lëshimin e tyre”, thuhet në përgjigjen e NET-Elektroniks.
Nga NET-Elektroniks thonë se pas marrjes së lejeve, vaji do të dërgohet në Qendrën TEP dhe kështu do të mundësohet përfundimi i riparimit të pompës së difuzionit, duke e bërë ciklotronin të aftë për përdorim të rregullt.
Nga ana tjetër, Fondi i Sigurimit Shëndetësor (FSSH), nuk ka mundësi t’ua rimbursojë shpenzimet pacientëve të cilët, nga xhepi i tyre, kanë paguar 1.300 euro për skanimin TEP në spitalet private.
“Në përputhje me Ligjin për Sigurimin Shëndetësor dhe aktet nënligjore, Fondi nuk ka mundësi ligjore të bëjë rimbursimin e mjeteve për shërbimet shëndetësore që personat e siguruar, me zgjedhjen e tyre, i kanë përdorur dhe paguar në institucione shëndetësore private me të cilat Fondi nuk ka marrëveshje për ofrimin e shërbimit konkret shëndetësor”, thonë nga FSSH-ja.
Pacientët onkologjikë tani po përballen edhe me një tjetër sfidë. Në rrjetet sociale ata ankohen se nuk ka ilaçe.
“Fulvestrant nuk ka, dhe nuk dihet se kur do të ketë, ndërsa prej tij varen ilaçet që përdoren në kombinim me Fulvestrantin. Kështu, as vetë terapia nuk mund të merret”, thuhet në një prej komenteve në rrjetet sociale.
Nga Ministria e Shëndetësisë përgjigjen se një pjesë e ilaçeve do të sigurohen këtë javë, ndërsa pjesa tjetër javën e ardhshme.
“Nga Klinika e Onkologjisë dhe Radioterapisë informojnë se gjatë kësaj jave pritet të bëhet furnizimi me ilaçin capecitabine. Preparatet e tjera pritet të dërgohen në Klinikë gjatë javës së ardhshme: ribociclib, fulvestrant dhe pazopanib. Nga atje informojnë se furnizimi me të gjitha preparatet e përmendura është vonuar për shkak të dorëzimit të vonuar nga distributorët. Klinika i ka bërë porositë në kohë, ndërsa distributorëve u është dërguar edhe një njoftim përkatës lidhur me vonesën dhe pasojat e mundshme të furnizimit jo në kohë”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Para një jave, pacientët onkologjikë protestuan para Ministrisë së Shëndetësisë për shkak të vonesës së terapisë.
Në raportin e revizionit për shfrytëzimin e pajisjeve moderne mjekësore, Enti Shtetëror i Revizionit ka konstatuar se Instituti Universitar për Tomografi me Emision Pozitron (IU TEP) është institucioni i vetëm publik në vend i specializuar për incizime TEP/CT dhe se disponon me një skaner.
Në periudhën nga viti 2021 deri në vitin 2023 janë realizuar 6.457 udhëzime, përkatësisht mesatarisht rreth 180 incizime në muaj. Kapaciteti maksimal i pajisjeve në dispozicion, sipas informacioneve që IU TEP ua ka dorëzuar revizorëve, ishte 13 pacientë në ditë.
Revizorët kanë vlerësuar se me blerjen e një skaneri të dytë do të rritej qasja dhe numri i shërbimeve. Për aparatin e dytë tashmë ishte siguruar edhe hapësirë e përshtatshme në Institut.



