
Pesë raste të reja të etheve të Nilit Perëndimor janë regjistruar, njoftojnë nga Qendra e Shëndetit Publik. Pacientët janë nga tri komunat e Shkupit ku është shpallur epidemi, Kisella Voda, Gazi Baba dhe Aerodromi.
Të gjithë janë mbi 65 vjeç dhe të hospitalizuar në Klinikën Infektive.
“Pacientët janë në gjendje stabile shëndetësore, e percjellim gjendjen e tyre dhe të shohim çfarë do të ndodhë më pas. Rastet e sotshme janë mbi 65 vjeç dhe janë edhe me sëmundje tjera” – tha Lulzime Bajrami, epidemiologe-QSHP.
Aktualisht po bëhët spërkatja kundër mushkonjave nëpër komunat ku është shpallur epidemia me qëllim që të ulet numri i tyre dhe të vendoset situata nën kontrollë, thonë nga Qendra e Shëndetit Publik.
“Qendra e Shëndetit Publik-për momentin po bën dezinfektimin në Kisella Vodë, Draçevë ku ka ujë të ndenjur. Poashtu do të shpërndahen fletushka për informimin e banorëve në ato komuna ku ka raste pozitive. Edhe gjatë ditës së nesërme do të bëhet dezinfektim për mushkonjat më të mëdha gjatë orëve të mbrëmjes po në komunat e njejta me raste pozitive.” – u shpreh Lulzime Bajrami, epidemiologe-QSHP.
Autoritetet shëndetësore thonë se nuk ka vend për panik, por nevojitet kujdes dhe përgjegjësi, qytetarët duhet të ndërmarrin masa për mbrojtje personale, të veshin rroba të përshtatshme dhe të shmangin vendet ku ekspozimi ndaj mushkonjave është më i madh.



