LajmeMaqedoni

Alarmon Angellov: Situata me zjarret është përkeqësuar ndjeshëm

– Situata me zjarret në vende të hapura sot është përkeqësuar ndjeshëm. Këtë pasdite patëm të paktën 21 zjarre në vende të hapura, shumica e të cilave për momentin janë aktive, thekson drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), Stojançe Angellov.

Ai veçoi zjarrin në territorin e komunës së Makedonski Brodit në vendin e quajtur Vidush pranë fshatit Dragovë si një nga zjarret në terren vështirë për t’u shuar.

“Nesër në mëngjes po dërgojmë një modul të DMSH-së të përbërë nga zjarrfikës vullnetarë që kanë trajnim të posaçëm për shuarjen e zjarreve në pyje”, deklaroi Angellovi dhe shtoi se zjarri nuk ka prekur pyll cilësor, por digjet një zonë shkëmbore me shkurre, gjemba dhe bar të thatë në terren që është jashtëzakonisht i vështirë për t’u lëvizur.

Siç tha ai, ka edhe zjarre të rënda në territorin e komunës së Studeniçanit mbi fshatin Moranë, ku po operojnë tre “er- traktorë” dhe janë ende në terren. Në vendin e ngjarjes janë poashtu zjarrfikësit e Shkupit me mbështetjen e katër ekipeve të DMSH-së me pizgauerë.

“Zjarr aktiv ka në territorin e komunës së Zelenikovës mbi fshatin Strahojadicë, ku para disa vitesh pati një zjarr të madh, ka edhe një zjarr aktiv. Gjithashtu kemi zjarr të madh në komunën e Kërçovës mbi fshatin Manastirsko dollnenci i cili paraqet kërcënim për manastirin lokal. Besoj se zjarrfikësit vendas do të arrijnë ta parandalojnë përhapjen e zjarrit në manastir. Nesër në mëngjes do të dërgojmë informacione shtesë”, theksoi Angellovi.

Ai theksoi se situata në Rajonin e Pollogut është gjithashtu shumë e keqe, ku siç tha ai, “ka informacione për disa zjarre të ndezura qëllimisht”.

“Një nga zjarret ndodhet në territorin e komunës së Jegunocës në zonën e fshatit Kopanicë, ku digjen pyje dhe bimësi të ulëta. I dyti është në territorin e komunës së Tetovës në zonën e fshatit Xhepçishtë ku digjet bimësi e ulët. I treti është në territorin e komunës së Tearcës në zonën e fshatit Përshevcë ku digjet bimësi e ulët. I katërti është në fshatin Çiflik të komunës së Zhelinës ku digjet bimësi e ulët dhe pyje të përziera”, ka thënë Angellovi.

Zjarre aktive, shtoi ai, ka edhe në territorin e komunës së Prilepit pranë fshatit Topollçan, ku digjet bimësi e ulët dhe e lartë, në territorin e komunës së Novacit pranë fshatit Makovë, në territorin e komunës së Shtipit pranë fshatit Vërsakovë dhe territorin e komunës së Manastirit pranë fshatit Dragosh.

“Ka edhe zjarre tjera aktive. Prandaj u bëj thirrje qytetarëve të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm. Temperaturat janë të larta, lagështia e ajrit është e ulët, që do të thotë se plotësohen të gjitha kushtet për të pasur zjarre. Fatkeqësisht, kemi si qytetarë të pakujdesshëm, ashtu edhe qytetarë keqdashës që detektohen gjatë ditës që do të thotë se më shumë zjarre shkaktohen nga disa qytetarë keqdashës”, tha Angellovi.

Related Articles

Back to top button
Close
Close