
Rita Ora është një prej artisteve që vendosi të thyejë traditën dhe të ishte ajo që do t’i bënte partnerit pyetjen e madhe, bën të ditur revista People.
Në artikull renditen në mesin e grave të famshme që kanë marrë vetë iniciativën për të propozuar martesë edhe Bella Thorne, Sarah Snook, Kristen Bell, Britney Spears, Pink, Lindsey Vonn, Jodie Turner-Smith dhe Elizabeth Taylor. Disa prej tyre e kanë bërë për të theksuar barazinë në marrëdhënie, ndërsa të tjera thjesht sepse nuk donin të prisnin momentin tradicional kur burri bën pyetjen e madhe.
Këngëtarja me origjinë shqiptare i propozoi për martesë regjisorit dhe aktorit Taika Waititi gjatë pushimeve në Palm Springs, Kaliforni, në verën e vitit 2022.
Dhe përgjigjja e Waititit ishte e menjëhershme.
“Thashë ‘po’ menjëherë”, ka treguar ai më herët për Vogue, duke rrëfyer momentin kur Ora i kërkoi të martoheshin. Propozimi nuk ishte aspak një skenë klasike romantike, me unazë dhe gjunjëzim. Përkundrazi, ishte një moment i thjeshtë dhe spontan.
“Ishte më shumë diçka e tillë: ‘Dua të martohem me ty. Le ta bëjmë’”, ka treguar Ora për Glamour UK.
Rita Ora dhe Taika Waititi kanë qenë miq për rreth gjashtë vjet përpara se marrëdhënia e tyre të shndërrohej në romancë. Ata u afruan gjatë kohës që ndodheshin në Australi dhe e bënë lidhjen publike në vitin 2021. Një vit më vonë, pas propozimit në Palm Springs, çifti u martua në një ceremoni intime në Los Angeles, më 4 gusht 2022.
Që prej martesës, çifti ka ruajtur një marrëdhënie private, edhe pse herë pas here ndajnë me publikun momente nga jeta e tyre së bashku. Waititi ka drejtuar gjithashtu disa projekte të saj, ndërsa këngëtarja ka folur vazhdimisht për mbështetjen që merr prej tij në karrierën e saj.
Madje, martesa e tyre u bë edhe frymëzim për muzikën e Rita Orës. Këngëtarja ka treguar se kënga “You & I”, pjesë e albumit të saj të vitit 2023, u frymëzua nga marrëdhënia dhe martesa me Waititin.



