
Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, është takuar në Shtabin e KFOR-it me kryetarin e Listës Serbe, Zlatan Elek, i cili e kishte kërkuar takimin.
Në takim, ku morën pjesë edhe nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, deputetja Jovana Radosavljeviq dhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq, u diskutua për situatën e sigurisë në veri të Kosovës dhe procesin e vazhdueshëm të optimizimit të pranisë së KFOR-it, transmeton Klankosova.tv.
Sipas KFOR-it, Ulutash theksoi se procesi i optimizimit është ndërmarrë si rezultat i përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë.
“Komandanti i KFOR-it theksoi se procesi i optimizimit të KFOR-it është nisur si rezultat i situatës së përmirësuar të sigurisë në Kosovë. Ai përsëriti se ky proces do të kryhet gradualisht. Ai bazohet në kushte dhe mund të përmbyset, nëse kërkohet nga zhvillimet përkatëse që mund të ndikojnë në sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin rajonal. Ai shtoi se KFOR-i do të mbetet plotësisht i pajisur dhe i pozicionuar mirë për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi përkatës, në përputhje me mandatin e gjatë të KFOR-it në OKB”.
Një pjesë e diskutimeve iu kushtua edhe sigurisë së Manastirit të Deçanit.
“Ai theksoi se KFOR-i mbetet reaguesi i parë për sigurinë e Manastirit të Deçanit, është i përkushtuar për sigurinë e tij dhe se kalimi gradual i pranisë së KFOR-it nga ura kryesore në Mitrovicë është në fazën fillestare. Sapo të finalizohet ky proces, KFOR-i do të mbajë një prani të fortë në Mitrovicën e Veriut dhe në veri të Kosovës për të mirën e të gjitha komuniteteve”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosov.tv.



