
Departamenti amerikan i Shtetit këtë të martë ka reaguar lidhur me deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç i cili paralajmëroi planet e tij për ndryshimin e mundshëm të rrjedhës së lumit Ibër, veprim që mund të lërë Kosovën pa ujë dhe energji elektrike.
Departamenti amerikan i Shtetit për “Radio Evropa e Lirë” deklaroi se paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor janë prioritete të Shteteve të Bashkuara.
“Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është pjesë e domosdoshme e këtij procesi”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.
Më herët Brukseli reagoi duke theksuar e duhet të shmangen veprimet që nuk i shërbejnë normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Vuçiç, deklaroi se autoritetet serbe po shqyrtojnë me ekspertë mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit, duke e lidhur këtë me rrënimin e shtëpive dhe vilave të serbëve pranë Liqenit të Ujmanit, në veri të Kosovës.
Deklarata e tij nxiti reagime të ashpra nga zyrtarët në Kosovë dhe u pasua edhe nga një përplasje publike ndërmjet zyrtarëve të Shqipërisë dhe Serbisë.
Komisioni Evropian rikujtoi gjithashtu se përparimi në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është parakusht që të dyja palët të avancojnë në rrugën e tyre evropiane.



