
Aktori amerikan Brad Pitt është përfshirë në debatin mbi përdorimin e inteligjencës artificiale në industrinë e filmit, duke e cilësuar atë si një mjet që mund të ndihmojë në realizimin e filmave me buxhet të mesëm.
Në një intervistë për revistën Esquire, aktori fitues i Oscarit tha se ka “shumë kundërshtime” ndaj inteligjencës artificiale, por beson se teknologjia mund të jetë e dobishme për prodhimet me buxhete nga 40 deri në 90 milionë dollarë, veçanërisht në krijimin e efekteve vizuale.
Pitt tha se është më i rezervuar ndaj përdorimit të IA-së për zëvendësimin e aktorëve dhe theksoi rëndësinë e personave që qëndrojnë pas krijimit të një vepre.
Aktori foli gjithashtu për skanimet dixhitale të aktorëve, duke treguar se gjatë 20 viteve të fundit ka kërkuar që skanimet e tij të jenë në pronësi të tij dhe të shkatërrohen pas përdorimit.
Pitt e përshkroi përdorimin në rritje të inteligjencës artificiale në kinematografi si “një eksperiment shumë interesant”, duke nënvizuar se mënyra se si përdoret teknologjia do të jetë vendimtare për rezultatin përfundimtar.



