
Prodhuesi shtetëror rumun i energjisë bërthamore, “Nuclearelectrica”, mund ta mbyllë reaktorin e saj të fundit funksional më 13.08.2026 derisa po vazhdojnë të bien nivelet e Lumit Danub, ka njoftuar të martën (11.08.2026) shteti rumun, pavarësisht përpjekjeve për ta devijuar ujin ftohës në central, raporton Reuters.
Nivelet rekord të ulëta të lumit e detyruan “Nuclearelectrican” ta mbyllte një reaktor në fundkorrik. Kompania ka dy reaktorë në Cernavoda në Danub që përbëjnë një të pestën e prodhimit të energjisë së vendit.
Rumania ka marrë masa të pashembullta për ta mbajtur aktiv reaktorin e vetëm funksional të vendit, duke përfshirë shpërthimin e një pengese shkëmbore jashtë ujit, thellimin e shtratit të lumit dhe fundosjen e barkave të mbushura me shkëmbinj në Danub për të ridrejtuar rrjedhat përreth centralit elektrik.
“Mundësia e një mbylljeje të kontrolluar (të reaktorit të dytë) bazohet në monitorimin e parashikimeve të motit për periudhën në vijim, rënien e niveleve të Danubit dhe parametrat operativë”, ka njoftuar “Nuclearelectrica”.
Nivelet e Danubit, lumit të dytë më të gjatë në Europë, kanë rënë në nivel të ri të ulët historik prej 370 metrash kub ujë në sekondë në pikën e hyrjes në Rumani të martën, ka thënë një drejtor në agjencinë shtetërore të menaxhimit të ujërave, duke shtuar se mbyllja është “e pashmangshme”.
Rumania ka shpallur tashmë gjendje emergjence energjetike gjatë gushtit dhe u ka kërkuar kompanive dhe familjeve të ulin vullnetarisht konsumin gjatë orëve të pikut të mbrëmjes.
Qeveria ka përgatitur një sistem për të ndërprerë energjinë për konsumatorët industrialë në faza dhe me njoftim paraprak nëse është e nevojshme.
Më tej në rrjedhën e sipërme, Hungaria fqinje filloi të riaktivizojë një turbinë në centralin bërthamor Paks të hënën pas rritjes së niveleve të ujit të Danubit. Megjithatë, shiu në rrjedhën e sipërme nuk do të bënte ndonjë ndryshim për Rumaninë, vendin e fundit nëpër të cilin rrjedh Danubi para se të derdhet në Detin e Zi, ka njoftuar agjencia e menaxhimit të ujërave.
Europa është dërmuar nga nxehtësia rekord dhe zjarret shkatërruese këtë verë, duke shkaktuar kaos në prodhimin e energjisë, transportin detar dhe sistemet e shëndetit publik.



