
Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social X lidhur me situatën e krijuar nga zjarri në malin e Krujës, duke vlerësuar angazhimin e forcave zjarrfikëse, ushtrisë dhe policisë në përballimin e flakëve. Duke e cilësuar një betejë të jashtëzakonshme ai thotë se shteti ishte në këmbë dhe meritën për shmangien e një tragjedie ia njeh heronjve që luftuan përgjatë gjithë natës e deri në orët e para të së dielës me flakët.
“Ka përfunduar me vetëm një magazinë të shkrumbuar dhe asnjë banor të dëmtuar, një betejë e jashtëzakonshme me zjarrin në malin e Krujës, ku në praninë e erës dhe në pamundësinë e natës për të përdorur mjete zjarrshuajtëse nga ajri, trupat tona zjarrfikëse, ushtarake e policore u përballën me heroizëm e me aftësi të spikatur profesionale, duke shmangur një bilanc që mund të kishte qenë tragjik siç fatkeqësisht po ndodh në vende të tjera të Europës në këtë verë përvëluese”, tha Rama.
Ndërsa në një tjetër koment kreu I qeverisë ndan me ndjekësit e tij në rrjetet sociale një tjetër mesazh që thotë se ka marrë gjatë orëve të natës nga një banor I Krujës, duke falenderuar të gjitha forcat e angazhuara nga Tirana, Vora Kruja dhe Kamza që luftuan për të mbrojtur jetët e njerëzve.
Në orët e pasdites, Kryeministri publikoi pamje të asaj se ç’ka la pas zjarri I rënë në Krujë dhe falënderimet e disa prej banorëve, shtëpitë e të cilëve shpëtuan nga djegia.
“Shih çfarë është bërë këtu. Kujtova se mu dogj shtëpia. Shteti ka qenë në këmbë, ministri i Brendshëm, Hita. Mos të kishin qenë ata, shtëpia ime e lagja do ishte djegur. Ua bëftë zoti hallall zjarrfikësve, policëve, emergjencave, të gjithëve, këtu është dëgjuar era shtet. Faleminderit shumë”, thotë një prej banorëve.
“E shihni vete komplet kjo pjesa e djegur flaka këtu ishte fundi i botës. Zoti është i madh dhe shteti ka qene ne gatishmëri. Faleminderit zjarrfikësve, emergjencave civile, puna qe është bere këtu, ne sot na ka shpëtuar”, tha një banore.
“Kush ka ardhur këtu… helikopterët katër ore pa pushim se nuk e besoj qe e kam shtëpinë akoma. Flaka ka qene e pabesueshme”, tha banorja.
“Faleminderit Zotit e shtetit që na ka ndihmuar se kemi kaluar një nate te tmerrshme si qytet. Faleminderit heronjve te këtij vendi”, tha një tjetër banor.
“Faleminderit ministrit të Brendshëm, prezent me këmbënguljen e tij na kanë larguar, është bërë puneë heroike, janë heronj”, tha banori.
Në reagimet e tij kreu i qeverisë thotë se situata e zjarreve në Krujë është nën kontroll, ndërsa aktive vijon të mbetet vetëm një vatër e izoluar në majën e Malit të Krujës.



