
Topi me të cilin Diego Armando Maradona shënoi dy nga golat më të famshëm në historinë e futbollit pritet të shitet për rreth 10 milionë dollarë në Shtetet e Bashkuara.
Shtëpia “Heritage Auctions” në Teksas do ta nxjerrë atë në ankand nga 21 deri më 23 gusht, me një ofertë fillestare prej 2.5 milionë dollarësh. Organizatorët e cilësojnë si topin më historik të futbollit, pasi u përdor në çerekfinalen e Botërorit 1986 mes Argjentinës dhe Anglisë.
Maradona e dërgoi fillimisht topin në rrjetë duke e goditur me dorë, por arbitri e konsideroi golin të rregullt. Pas ndeshjes, ylli argjentinas deklaroi se ai ishte shënuar “pak me kokën e Maradonës dhe pak me dorën e Zotit”. Vetëm pak minuta më vonë, me të njëjtin top, Maradona realizoi edhe atë që u cilësua “Goli i Shekullit”.
Ai kaloi disa futbollistë anglezë përpara se të mposhtte portierin dhe të vuloste fitoren 2-1. Argjentina vijoi rrugëtimin dhe u shpall kampione e botës. Fanella që Maradona veshi në atë takim mban rekordin si më e shtrenjta në historinë e futbollit, pasi u shit për 9.3 milionë dollarë. Ankandi i topit pritet ta tejkalojë këtë shifër.



