
Një dron hyri këtë mëngjes në hapësirën ajrore të Bullgarisë dhe shpërtheu pak pasi kaloi kufirin nga Rumania, pranë një gazsjellësi ndërkombëtar, bëri të ditur kryeministri bullgar.
Kryeministri bullgar Rumen Radev, pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme të qeverisë, tha se droni kishte shpërthyer në orën 05:10, rreth 100 metra brenda territorit bullgar.
“Në orën 8:10 të mëngjesit të sotëm, patëm një incident që përfshinte një dron, i cili hyri në hapësirën ajrore bullgare dhe shpërtheu rreth 100 metra brenda kufirit bullgar, pranë një stacioni kompresor dhe ish-pikës kufitare mes Bullgarisë dhe Rumanisë, Kardam. Incidenti ndodhi rreth 200 metra nga një stacion kompresor rumun dhe afërsisht një kilometër nga stacioni kompresor i Bullgarisë në gazsjellësin Trans-Ballkanik”, tha Rumen Radev – kryeministër i Bullgarisë.
Droni nuk ishte zbuluar dhe as identifikuar gjatë fluturimit të tij, as në hapësirën ajrore rumune dhe as në atë bullgare. Viktima nuk ka, e as dëme në ndërtesa. Radev siguroi se do të vazhdojnë ta monitorojnë situatën.
“Vendndodhja ku shpërtheu droni është identifikuar. Policia kufitare, policia kombëtare dhe njësitë e Ministrisë së Mbrojtjes janë aktualisht atje dhe po përcaktojnë llojin e dronit. Nuk ka viktima dhe as dëme në ndërtesa. Zona është rrethuar”, u shpreh kryeministri i Bullgarisë, Rumen Radev.
Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes i Bullgarisë, Dimitar Stojanov, tha se incidenti do të ngrihet si çështje në një takim të Këshillit të Atlantikut të Veriut në fillim të javës së ardhshme.



