
Me ardhjen e verës dhe ditëve të plazhit, zgjedhja e ushqimeve që merrni me vete është shumë e rëndësishme. Temperaturat e larta mund të ndikojnë në prishjen e disa produkteve, duke rritur rrezikun për shqetësime shëndetësore.
Ekspertët këshillojnë që gjatë qëndrimit në plazh të preferohen ushqime të lehta dhe të freskëta, si frutat, sallatat dhe ushqimet që përmbajnë shumë ujë.
Ndër ushqimet që rekomandohet të shmangen janë djathi, salsiçet, sallami, vezët, patatet e skuqura, produktet me qumësht, ushqimet me majonezë, biskotat me krem dhe ushqimet e përpunuara, pasi në temperatura të larta mund të prishen më shpejt.
Për një drekë të lehtë në plazh mund të zgjidhni një sallatë të freskët, pak bukë dhe një ëmbëlsirë të lehtë si akullorja.
Kujdes i veçantë duhet treguar edhe me fëmijët, të cilëve u rekomandohet të konsumojnë ushqime më të lehta dhe të shmangin produktet e skuqura apo ushqimet që mund t’u shkaktojnë shqetësime në stomak.
Gjithashtu, pijet e gazuara dhe përtypja e shpeshtë e çamçakëzit mund të ndikojnë në fryrjen e barkut, ndaj këshillohet që gjatë ditëve të nxehta të zgjidhen alternativa më të shëndetshme.
Një zgjedhje e kujdesshme e ushqimit mund t’ju ndihmojë të shijoni më shumë ditët në plazh dhe të shmangni problemet e panevojshme.



