
Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Turqisë bëri thirrje të enjten për rifillimin e bisedimeve mes Iranit dhe SHBA-së, duke paralajmëruar se një konflikt i ri mund të përhapet në gjithë rajonin dhe të pengojë rrugët globale të tregtisë, transmeton Anadolu.
Kjo u bë e ditur në deklaratën e lëshuar pas mbledhjes së këshillit, të kryesuar nga presidenti Recep Tayyip Erdogan në Kompleksin Presidencial në Ankara.
“U theksuan rreziqet dhe kërcënimet që paraqet përhapja e konfliktit të ri mes Iranit dhe SHBA-së në vendet e rajonit dhe në rrugët globale të tregtisë, ndërsa të gjitha palëve iu bë thirrje të përmbahen nga përdorimi i forcës dhe t’u rikthehen negociatave për vendosjen e një paqeje të qëndrueshme”, thuhet në deklaratë.
Këshilli njoftoi gjithashtu se shqyrtoi përparimin drejt objektivave të “Turqisë pa terror” dhe një “rajoni pa terror”.
“U shqyrtua përparimi i arritur drejt objektivave të një ‘Turqie pa terror’ dhe një rajoni pa terror, ndërsa u zhvilluan konsultime për fazat e ardhshme të përpjekjeve që përbëjnë një pikë historike kthese për garantimin e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit të vendit tonë”, thuhet në deklaratë.
Deklarata thekson se “bashkësia ndërkombëtare duhet të mbajë një qëndrim të qartë dhe të pakompromis” kundër shkeljeve të vazhdueshme të armëpushimit nga administrata izraelite, përshkallëzimit të terrorit të kolonëve në territoret palestineze dhe sulmeve provokuese ndaj vendeve të shenjta, veçanërisht Xhamisë Al-Aksa.
Këshilli u informua gjithashtu për operacionet e zhvilluara brenda dhe jashtë vendit kundër kërcënimeve ndaj unitetit kombëtar dhe ekzistencës së Turqisë, veçanërisht atyre që burojnë nga organizatat terroriste PKK/KCK-PYD/YPG, FETO dhe DEASH, si dhe për zhvillimet e fundit ndërkombëtare.
Me rastin e 10-vjetorit të rezistencës kombëtare kundër tentativës për grusht shteti të 15 korrikut, këshilli shqyrtoi fazën më të fundit të luftës kundër FETO-s dhe deklaroi se masat për eliminimin e “rrjetit të tradhtisë” do të vazhdojnë me vigjilencë.
Këshilli e cilësoi samitin e NATO-s, të organizuar së fundmi nga Turqia, si një “prag kritik” për të ardhmen e aleancës dhe rikonfirmoi qasjen konstruktive të Ankarasë për ndarjen e kapaciteteve të saj të avancuara me aleatët.
Lidhur me luftën Rusi-Ukrainë, këshilli tha se ngërçi strategjik nuk mund të tejkalohet duke i shndërruar zonat fqinje, veçanërisht Detin e Zi dhe Detin Kaspik, në zona konflikti.
Ai u bëri thirrje palëve ndërluftuese të ulin tensionet në rritje në rajon dhe të ndërmarrin hapa konkretë drejt vendosjes së paqes.
Këshilli theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit shumëdimensional të Turqisë me Sirinë dhe Irakun fqinj për sigurinë, paqen dhe prosperitetin rajonal.
Në deklaratë thuhet se Turqia do të vazhdojë të japë kontributin maksimal të mundshëm në proceset që synojnë forcimin e solidaritetit rajonal.



