
Nga Ministria e Punëve të Brendshme pasdite informuan për aktivitetet parandaluese për parandalimin e zjarreve dhe delikteve pronësore, si dhe pjesëmarrjen e sigurt në trafik.
“Sot, në Veles, nëpunës policorë të Stacionit Policor për Siguri në Komunikacion realizuan aktivitetin parandalues në fushën e sigurisë në komunikacion me temën “Mos përdor telefonin celular gjatë drejtimit të automjetit”, ku drejtuesit e mjeteve u informuan për pasojat që mund të shkaktojë përdorimi i telefonit celular gjatë ngasjes. Nëpunësit policorë të Njësisë për Parandalim pranë SPB Shkup dhe Stacioni Policor për Siguri në Komunikacion në Kavadar, në territorin e Shkupit dhe Kavadarit, zhvilluan aktivitetin parandalues “Përdor rripin e sigurisë”. Përmes komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët, u theksua detyrimi për përdorimin e detyrueshëm të rripit të sigurisë në automjete, si dhe respektimi i të gjitha rregullave dhe rregulloreve të komunikacionit, me qëllim rritjen e sigurisë personale”, citohet në kumtesë.
Nëpunës policorë të Seksionit për Parandalim pranë SPB Kumanovë, si dhe SPB Shtip, në Kumanovë, Shën Nikollë, Vinicë dhe Koçan, realizuan aktivitete parandaluese dedikuar drejtuesve të motoçikletave dhe trotineteve elektrike lidhur me ndryshimet e reja në Ligjin për Sigurinë e Komunikacionit Rrugor, me theks të veçantë se trotinet elektrik mund të drejtojë vetëm një person që ka mbushur moshën 18 -vjeçare.
“Gjatë aktivitetit, qytetarët u njohën edhe me ndryshimet e tjera të ligjit dhe u shpërndanë fletushka me përmbajtje edukative. Nëpunës policorë të Stacionit Policor Ropotovë pranë SPB Manastir, në fshatin Debreshtë, realizuan ligjëratë edukative me banorët më të vegjël për sigurinë në komunikacion, duke i njohur ata me rregullat themelore të komunikacionit, me qëllim zhvillimin e kulturës së sigurisë tek fëmijët.
Nëpunës policorë të Stacionit Policor të Berovës zhvilluan aktivitete parandaluese për parandalimin e zjarreve. Përmes komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët, u theksua nevoja për sjellje të përgjegjshme në natyrë, me theks të veçantë në shmangien e ndezjes së zjarrit, moshedhjen e bishtave të cigareve dhe detyrimin që, në rast se vërejnë zjarr, ta raportojnë menjëherë në numrin 112. Bujqve iu theksua nevoja për kryerjen me kujdes të punëve bujqësore, duke vënë theksin te rreziku i shkaktimit të zjarreve nga djegia e kufijve të arave, hamulloreve dhe mbeturinave në parcela. Gjithashtu, u bë e ditur se shkaktimi i zjarreve paraqet vepër penale dhe sanksionohet sipas ligjit. Qytetarëve iu shpërnda edhe material edukativ, i përgatitur në bashkëpunim me Ndërmarrjen Publike “Pyjet Kombëtare”, me kujtesën për respektimin e ndalimit të lëvizjes në pyje, i cili është në fuqi deri më 31.08.2026″, shtohet në kumtesë.



