
Prokuroria ka paraqitur ankesë ndaj aktgjykimit për rastin “Talir 2”, me të cilin ish-kryeministri dhe i arratisuri Nikolla Gruevski u shpall i pafajshëm, ndërsa u zhbllokua edhe pasuria e VMRO-DPMNE-së, përfshirë selinë e partisë në Shkup.
Siç njoftoi Tellma, Prokuroria konfirmoi se prokurori kompetent ka paraqitur ankesë ndaj aktgjykimit në Gjykatën e Apelit në Shkup.
Rasti “Talir 2” vjetërsohet më 31 gusht dhe nëse deri në fund të muajit, pra brenda 25 ditësh, gjykata nuk merr vendim të formës së prerë, i gjithë rasti për financim të paligjshëm partiak do të mbyllet për shkak të vjetërsimit, pa mundësi për proces të ri gjyqësor.
Gjykata Penale e mori vendimin në mesin e qershorit, ndërsa aktgjykimi ishte lirues për Gruevskin, pasi gjykata vlerësoi se nuk mund ta shpallte fajtor për shkak të ndryshimeve në Kodin Penal, të miratuara në vitin 2023.
Më herët, i njëjti rast kishte përfunduar me aktgjykim dënues, por ai vendim u anulua dhe procesi nisi nga e para, duke përfunduar pa aktgjykim që do të konstatonte fajësi për financimin e paligjshëm të VMRO-DPMNE-së dhe ndërtimin e selisë së partisë përmes donacioni nga kompani që më parë kishte fituar tenderë publikë nga shteti.
Me hyrjen në fuqi të aktgjykimit, pasuria e partisë mbetet në pronësi të VMRO-DPMNE-së dhe ndërpritet procedura për konfiskimin e saj.
Ndryshe, Nikolla Gruevski është në arrati që nga viti 2018, kur u dënua me dy vjet burg pas aktgjykimit të formës së prerë në rastin “Tanku”. Gruevskit iu dha azil në Hungari bazuar në pretendimet se ishte i persekutuar politikisht nga kryeministri i atëhershëm, Zoran Zaev. Në Hungari ai arriti në mënyrë të dyshimtë, duke kaluar nëpër tre vende të Ballkanit me makina me targa hungareze, përpara se të fluturonte për në Budapest nga aeroporti i Beogradit me një aeroplan qeveritar. Në vitin 2019 gjykata në Hungari zyrtarisht e hodhi poshtë kërkesën për ekstradim nga autoritetet e Maqedonisë. Pasuan edhe kërkesa të tjera, por Budapesti zyrtar i hodhi poshtë të gjitha përpjekjet e autoriteteve maqedonase për ta kthyer të arratisurin në atdheun e tij.



