LajmeMaqedoni

Grant prej €149 milionë për hekurudhën drejt Bullgarisë! Në 22 kilometra hekurudhë do të ketë 21 tunele dhe 52 ura e viadukte

U nënshkruan marrëveshjet për financimin e ndërtimit të segmentit hekurudhor Kriva Pallankë – Deve Bair, me çka duhet të përfundojë dega lindore e Korridorit 8. Granti prej 149 milionë eurosh është siguruar nga Korniza Investuese e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor. Përveç kësaj, nga Banka Evropiane e Investimeve dhe nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim janë siguruar nga 175 milionë euro kredi nga secila bankë.

“Tashmë ka përfunduar seksioni i parë i krahut lindor, aktivisht punohet edhe në seksionin e dytë, ndërsa sot jemi të pranishëm në nënshkrimin e marrëveshjeve për financimin e ndërtimit të seksionit të tretë. Kjo është një ditë jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse pas pothuajse dy vitesh pune arrijmë te një projekt i cili është i realizueshëm, është real dhe i cili mund të ndërtohet”, tha Nikolloski.

Ministrja e Financave, Gordana Dimitrievska-Koçovska, tha se ndërtimi i kësaj traseje hekurudhore ka jo vetëm kontribut të rëndësishëm rajonal, por edhe për zhvillimin e vendit.

“Sigurohet konstruksioni financiar që do të mundësojë realizimin e plotë të projektit, i cili jo vetëm që do të sigurojë lidhje më të mirë mes Detit Adriatik dhe Detit të Zi, por do të kontribuojë edhe në integrimin më të madh ekonomik, lëvizjen më të lehtë të njerëzve dhe mallrave, si dhe në mundësi të reja për zhvillimin e ekonomisë maqedonase dhe të gjithë rajonit”, theksoi Koçovksa.

Për rëndësinë strategjike të këtij projekti foli edhe Ben Nupnau, zëvendësshef i Delegacionit të BE-së në vend.

“Korridori 8 është pjesë e infrastrukturës edhe të BE-së edhe të NATO-s. Kjo lidhje do të rrisë rezistencën e Maqedonisë së Veriut, të rajonit dhe të kontinentit, do të sigurojë mobilitet më të madh si për qëllime ushtarake ashtu edhe për qëllime biznesi, por gjithashtu do ta lehtësojë tregtinë dhe do të hapë mundësi për vende pune”, u shpreh Ben Nupnau, zëvendës shef i delegacionit të BE-së në Shkup.

Drejtori i Hekurudhave të Maqedonisë, Sinisha Ivanovski, foli për performancat teknike të këtij projekti, i cili ka gjatësi prej 22 kilometrash, ku mbi 60 për qind e gjatësisë janë ura dhe tunele për shkak të terrenit malor.

“Do të jetë një linjë hekurudhore me një binar, e cila do të jetë për trafik të përzier, si për transportin e udhëtarëve ashtu edhe për transportin e mallrave. Është interesante se në vetëm 22 kilometra do të ketë gjithsej 21 tunele me gjatësi prej 7,8 kilometrash, si dhe 52 ura dhe viadukte shtesë me gjatësi rreth 5 kilometra”, theksoi Sinisha Ivanovski, Drejtor i hekurudhave të Maqedonisë.

Për realizimin e këtij projekti aktualisht janë në zhvillim procedurat tenderuese, ndërsa pritet që punimet në terren të fillojnë gjatë këtij viti. Korridori hekurudhor 8 është një nga korridoret më të rëndësishme të transportit trans-evropian me rëndësi strategjike, gjeopolitike dhe ekonomike për Ballkanin dhe Evropën.

Related Articles

Back to top button
Close
Close