
Punonjësit shëndetësorë që po luftojnë shpërthimin e Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos po kërcënojnë të braktisin vijën e parë të betejës, pasi pretendojnë se nuk kanë marrë pagat për muaj të tërë.
Infermierja Micheline Kayimpa punon çdo ditë në Qendrën e Trajtimit të Ebolës në Elikya, në Bunia, duke u kujdesur për pacientët e infektuar me një nga viruset më vdekjeprurëse në botë.
Ajo thotë se përveç rrezikut të vazhdueshëm të infektimit, punonjësit po përballen edhe me një tjetër problem të madh: mungesën e pagesave. “Kam punuar këtu që nga qershori, por nuk kam marrë asnjë qindarkë rrogë”, ka deklaruar Kayimpa, duke paralajmëruar se mund të largohet nga puna nëse situata nuk zgjidhet.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Kongo, shpërthimi aktual i Ebolës ka prekur mijëra persona dhe ka shkaktuar mbi një mijë viktima. Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka cilësuar situatën si një nga shpërthimet më të mëdha të raportuara në vend.
Në qendrën e trajtimit në Bunia, ku kapacitetet janë të mbushura, punonjësit thonë se mungon stafi dhe se shpesh vetëm pak infermierë kujdesen për shumë pacientë në gjendje të rëndë.
Përveç rrezikut nga virusi, ekipet mjekësore janë përballur edhe me sulme nga komunitete lokale, të nxitura nga mosbesimi dhe dezinformimi rreth sëmundjes.
Autoritetet e Kongos kanë pranuar vonesat në pagesa, duke deklaruar se procesi i verifikimit të stafit dhe procedurat administrative kanë shkaktuar pengesa. Sipas tyre, pagesat për punonjësit e regjistruar do të kryhen.
Organizata Mjekët pa Kufij (MSF), e cila drejton disa qendra trajtimi për Ebolën, ka sqaruar se protestat lidhen me kompensimet nga qeveria dhe jo me pagesat e organizatës.
Punonjësit humanitarë paralajmërojnë se çdo ndërprerje e punës në këtë fazë mund t’i japë virusit më shumë kohë për t’u përhapur, ndërsa kërkojnë mbështetje, pajisje mbrojtëse dhe pagesa të rregullta për stafin në vijën e parë.



