
Zyrtarët e inteligjencës në Lituani besojnë se Rusia mund të përdorë dronë të prodhimit ukrainas, të kapur më parë, për të organizuar provokime kundër vendeve të Baltikut. Ministri lituanez i Mbrojtjes, Robertas Kaunas, tha të enjten se Moska mund të inskenojë një operacion të ashtuquajtur me “flamur të rremë”, ku një sulm do të paraqitej sikur është kryer nga Ukraina.
“Bëhet fjalë për një operacion me flamur të rremë, duke përdorur një dron të rremë ukrainas. Një nga qëllimet është që NATO të humbasë besimin dhe të zvogëlojë mbështetjen për Ukrainën”, tha Kaunas, duke shtuar se kjo nuk do të ndikojë në qëndrimin e aleancës.
Polonia dhe tre vendet baltike – Estonia, Letonia dhe Lituania – kanë paralajmëruar më herët se Rusia mund të tentojë sulme ose akte sabotimi ndaj tyre, me qëllim shpërqendrimin e vëmendjes nga lufta në Ukrainë dhe dobësimin e mbështetjes ndërkombëtare për Kievin.
Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nausėda, deklaroi në korrik se shërbimet e inteligjencës kishin sinjale për përgatitje të mundshme të sulmeve ndaj infrastrukturës kritike. Si masë paraprake, autoritetet forcuan sigurinë rreth objekteve energjetike dhe transportit.
Rusia i ka hedhur poshtë këto pretendime. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i cilësoi ato si “histori frikësuese” që, sipas tij, përdoren për të justifikuar militarizimin kundër Rusisë. Vendet baltike dhe Polonia, të gjitha anëtare të NATO-s dhe kufitare me Rusinë, janë ndër mbështetëset më të forta të Ukrainës. Ato kanë akuzuar Moskën se përdor retorikë kërcënuese për t’i frikësuar.
Ndërkohë, dronë ushtarakë që janë nisur nga Ukraina drejt objektivave në Rusi kanë hyrë në muajt e fundit edhe në hapësirat ajrore të Finlandës dhe vendeve baltike. Ukraina ka thënë se këto incidente kanë ndodhur për shkak të ndërhyrjeve elektronike ruse që prishin ose ndryshojnë sinjalet e dronëve. Rusia ka akuzuar vendet baltike se po lejojnë Ukrainën të përdorë hapësirën e tyre ajrore për sulme ndaj objektivave ruse. Këto akuza janë mohuar nga Ukraina dhe shtetet baltike.



