
Mbrëmje e madhe evropiane për futbollin shqiptar dhe një tjetër maratonë emocionesh që vjen ekskluzivisht në ekranin e DigitAlb.
Dy klubet e vetme që mbeten në garë nga Superliga, Egnatia dhe Dinamo City, zbresin sot në fushë për ndeshjet e para të raundit të tretë kualifikues.
Për kampionët rrogozhinas dhe blutë e kryeqytetit, 180 minutat e radhës janë vendimtare për ëndrrën e magjishme të grupeve evropiane.
Sipari i kësaj dite evropiane hapet herët. Në orën 18:00, drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht në kanalet e SuperSport, Dinamo City sfidon në Letoni vendasit e Audës, ndeshje e vlefshme për llogari të Conference League.
Në “Skonto Stadium” të Rigës, blutë e kryeqytetit kërkojnë të vazhdojnë ecurinë pozitive pas kualifikimit me një mbrojtje të hekurt dhe kundërsulme vrasëse. Auda vjen në formë të lartë dhe shquhet për disiplinën taktike, por Dinamo pritet të luajë me kujdes dhe qetësi, për të marrë një rezultat që e mban gjithçka në favor të saj.
Emocionet do të kulmojnë në orën 21:00, sërish në platformën DigitAlb, kur kampionët e Shqipërisë, Egnatia, zbresin në Dublin përballë Shamrock Rovers në UEFA Europa League.
Për rrogozhinasit, kjo është një mundësi e artë historike, fituesi i këtij duelli kalon në Play-Off dhe siguron minimalisht fazën e grupeve në Conference League. Pavarësisht transfertës së vështirë në “Tallaght Stadium”, Egnatia është e vendosur të shkruajë historinë.
Çdo gjë do të vendoset pas një jave, më 13 gusht, në Shqipëri, ku Egnatia luan në shtëpi dhe Dinamo në “Elbasan Arena”. Por gjithçka nis sot, me dy beteja të zjarrta.



