
Pas një kallëzimi penal të paraqitur nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), Prokuroria Themelore Publike e Gostivarit nisi procedurë kundër katër personave nga fshati Dobri Doll, Komuna e Vrapçishtit, për të cilët ekziston dyshim i bazuar se kanë marrë pjesë në vepra penale – Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm sipas nenit 288, paragrafi 3, në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal.
Në mbrëmjen e 31 korrikut, në oborrin e një shtëpie familjare në fshat, në një festë dasme, të dyshuarit përdorën armë zjarri, përkatësisht tre pistoleta dhe një pushkë të markës dhe kalibrit të panjohur, me të cilat qëlluan në ajër, duke rrezikuar kështu jetën e një numri të madh personash të pranishëm në festën e dasmës.
Meqenëse ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezik për arratisje për secilin prej të dyshuarve, dhe njëri prej tyre ka shtetësi sllovene përveç asaj maqedonase, prokurori publik i paraqiti një propozim gjyqtarit të procedurës paraprake në Gostivar për të dyshuarit të caktojë masë paraburgimi.
Ndryshe, zyrtarët policorë të SPB Tetovë lidhur me videon e publikuar në rrjetet sociale për të shtënat gjatë një ahengu familjar në Dobërdoll të Gostivarit, më një gusht kanë realizuar bastisje në disa lokacione, me ç’rast janë arrestuar gjashtë persona, ndërsa një person është ftuar në bisedë zyrtare. Gjatë bastisjeve janë gjetur dhe konfiskuar armë dhe municion.


