
Shteti i vogël ishullor në Oqeanin Paqësor, i njohur prej dekadash si Nauru, ka ndryshuar zyrtarisht emrin dhe tashmë do të quhet Republika e Naoeros. Vendimi u njoftua nga presidenti i vendit, David Adeang, i cili tha se ndryshimi synon të rikthejë emrin tradicional dhe të forcojë identitetin kombëtar, gjuhën dhe trashëgiminë kulturore të ishullit. Emri i ri, Naoero, përputhet me shqiptimin dhe drejtshkrimin në gjuhën vendase. Për pasojë, edhe kodi ndërkombëtar i shtetit do të ndryshojë nga NRU në NRO, ndërsa banorët do të njihen si dei-Naoero, në vend të emërtimit të mëparshëm “Nauruan”.
Sipas autoriteteve vendase, emri “Nauru” ishte përdorur ndërkombëtarisht për shkak të vështirësive që të huajt kishin me shqiptimin e emrit tradicional, dhe jo si një zgjedhje e vetë popullsisë.
“Ky ndryshim synon të nderojë më besnikërisht trashëgiminë, gjuhën dhe identitetin tonë”, deklaroi presidenti Adeang gjatë prezantimit të nismës në parlament. Naoero është një nga shtetet më të vogla në botë, me rreth 12 mijë banorë, duke u renditur i treti pas Tuvalut dhe Vatikanit për nga numri i popullsisë. Ishulli u kolonizua fillimisht nga Gjermania dhe më pas u administrua nga Australia, përpara se të shpallte pavarësinë në vitin 1968.
Historia e vendit është e lidhur ngushtë me industrinë e fosfatit, e cila solli pasuri të mëdha në vitet 1970, por rënia e saj në dekadën pasuese e çoi ekonominë e ishullit drejt krizës.
Sot, Naoero përballet me një tjetër kërcënim të madh: rritjen e nivelit të detit për shkak të ndryshimeve klimatike. Qeveria ka kërkuar investime nga jashtë përmes një programi shtetësie me pagesë, me qëllim financimin e zhvendosjes së banorëve dhe infrastrukturës në zona më të sigurta. Ndryshimi i emrit shihet nga autoritetet si një hap drejt një “krenarie të re kombëtare”. Fillimisht ishte planifikuar edhe një referendum për këtë çështje, por qeveria vendosi se një votim popullor nuk ishte i nevojshëm, duke argumentuar se emri Naoero ka qenë gjithmonë pjesë e identitetit të popullit.
Naoero bëhet kështu një tjetër vend që ndryshon emrin për t’u shkëputur nga e kaluara koloniale. Shembuj të ngjashëm janë Eswatini, që u rikthye nga emri Swaziland në vitin 2018, dhe Türkiye, që kërkoi në vitin 2022 përdorimin e emrit të saj zyrtar në arenën ndërkombëtare. Institucionet ndërkombëtare kanë nisur tashmë të përdorin emërtimin e ri, ndërsa ndryshimi do të reflektohet edhe në dokumentet zyrtare, avionët dhe anijet shtetërore të vendit.








