
Oscar Pistorius ka nisur një kapitull të ri në jetën e tij pas lirimit nga burgu, duke u larguar plotësisht nga bota e sportit që dikur e bëri të famshëm në të gjithë botën.
Ish-atleti afrikano-jugor, raportohet se ka gjetur një punë të re si mjeshtër audioje në një kompani të specializuar në këtë fushë, sipas mediave britanike.
Pistorius aktualisht jeton në Waterkloof, një zonë e Pretorias, aty ku ndodhi edhe tragjedia e vitit 2013, kur ai vrau të dashurën e tij, modelen Reeva Steenkamp, duke qëlluar përmes derës së mbyllur të banjës.
Pas lirimit me kusht në vitin 2024, ish-sprinteri që dikur njihej me nofkën “Blade Runner” ka zgjedhur një jetë të qetë dhe larg kamerave.
Banorë të zonës kanë deklaruar se Pistorius është kthyer në një figurë thuajse të padukshme në komunitet.
“Ne nuk duam të dimë për të këtu. Është si një fantazmë. Është zhdukur nga sytë e të gjithëve dhe shumica janë të kënaqur që kështu ka mbetur,” është shprehur një banor për mediat.
Sipas raportimeve, ai tashmë punon në fushën e teknologjisë së zërit, një profesion shumë larg karrierës së tij të mëparshme si atlet profesionist dhe kampion paralimpik.
Pistorius ishte një nga sportistët më të njohur në botë, me gjashtë medalje të arta paralimpike dhe u bë atleti i parë me amputim të dyfishtë që garoi në Lojërat Olimpike.
Pas dënimit për vrasjen e Steenkamp, ai humbi sponsorët, u përjashtua nga garat profesionale dhe u largua nga skena sportive ndërkombëtare.
Sot, ai jeton në rezidencën e xhaxhait të tij të pasur Arnold, së bashku me qentë e tij dhe partneren Rita Greyling, me të cilën është në lidhje prej vitit të kaluar.
Pistorius vazhdon të jetë nën disa kushte të përcaktuara nga lirimi me kusht, të cilat kufizojnë lëvizjet e tij. Ai raportohet se kalon pjesën më të madhe të kohës në Afrikën e Jugut, duke shmangur daljet publike dhe çdo ekspozim mediatik



