LajmeMaqedoni

Temperaturat e larta prishin ushqimet, mjekët: Rriten rastet e helmimeve nga ushqimi

Rritet numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore për shkak të helmimeve nga ushqimi gjatë muajve të verës. Temperaturat e larta krijojnë kushte të favorshme për shumimin e baktereve në ushqime që nuk ruhen ose nuk përgatiten siç duhet, duke rritur rrezikun e intoksikimeve.

Mjekët thonë se rastet shtohen veçanërisht gjatë muajve korrik dhe gusht, ndërsa më të prekur janë të rinjtë, të cilët konsumojnë më shpesh ushqime të shpejta.

“Kemi rritje të një fluksi të madh të pacientëve. Çdoherë, sidomos në periudhën korrik-gusht, kemi rritje të numrit të pacientëve, sepse tash moshat më të reja konsumojnë ushqime më të shpejta dhe ato janë arsyeja kryesore. Kryesisht janë të rinj. Numri i atyre që janë të moshës më të shtyrë është shumë më i vogël në krahasim me të rinjtë. Faktorët të cilët i sjellin pacientët në spital janë se shpeshherë konsumojnë ushqime të cilat nuk janë të përgatitura në kushte adekuate dhe të ruajtura siç duhet. Si pasojë e temperaturës së lartë, e cila është për momentin, vjen deri te shumimi i baktereve dhe, si rrjedhojë, deri te intoksikimi i pacientëve, për shkak të ushqimit të kontaminuar.”, – deklaroi mjekja, Ajsel Fazli.

Mjekët dhe AUV-ja apelojnë për kujdes të shtuar

Helmimet ushqimore zakonisht shfaqen pak orë pas konsumimit të ushqimit të kontaminuar. Mjekët thonë se reagimi i shpejtë dhe paraqitja në kohë për ndihmë mjekësore janë të rëndësishme, sidomos kur simptomat janë të theksuara.

“Nëse kemi intoksikim, zakonisht trupi reagon brenda pak orësh, duke dhënë temperaturë, diarre, dobësim trupor dhe dhimbje koke, po ashtu dhimbje barku. Paraqitet me ngërçe apo të vjella dhe nauze. Janë ndër simptomat që paraqiten brenda një afati të shkurtër kohor. Këto intoksikime gjatë sezonit të verës kryesisht shkaktohen nga ushqimet dhe pijet e kontaminuara nga bakteret ose toksinat e tyre. Bakteret shumohen shumë shpejt për shkak të temperaturave të larta.”, – theksoi mjekja, Ajsel Fazli.

Ditë më parë, edhe Agjencia për Ushqim dhe Veterinari paralajmëroi për rritjen e rrezikut nga helmimet ushqimore për shkak të temperaturave të larta.

Në një komunikatë me shkrim, AUV-ja u bëri thirrje qytetarëve që të blejnë ushqime vetëm nga operatorë të kontrolluar, t’i ruajnë në temperaturën e duhur dhe të respektojnë rregullat bazë të higjienës gjatë përgatitjes dhe konsumimit të tyre, me qëllim parandalimin e intoksikimeve.

Related Articles

Back to top button
Close
Close