KurioziteteLajme

MAROKENËT NË SPANJË: Gruaja që i shpëtoi skllavërisë në një fermë spanjolle

Fatima la familjen e saj në Marok për të punuar punë sezonale në Spanjë. Por ëndrrat për një jetë më të mirë u shndërruan shpejt në shfrytëzim, kushte të mjerueshme dhe dhunë. Megjithatë, në fund të vitit 2023, policia mori informacion se një grua po mbahej dhe po shfrytëzohej në një fermë delesh dhe e shpëtoi atë

Në një fermë në rajonin veriperëndimor spanjoll të Kastiljes dhe Leonit, një ditë e zakonshme për Fatiman (emër i ndërruar për ta fshehur identitetin) niste në orën 2 të mëngjesit dhe zgjatej deri vonë në mbrëmje, ndërsa ajo kryente punë që varionin nga mbjellja e perimeve deri te kullotja e deleve dhe pastrimi i kotecit të pulave. Pasi mbërriti në fermë, lista e detyrave të saj u zgjerua gradualisht, derisa ajo punonte deri në 19 orë në ditë, shtatë ditë në javë. “Nëse do të isha ende atje, ndoshta do ta kisha vrarë veten”, thotë 50-vjeçarja me shtetësi marokene. “Kur filloj të mendoj për atë që kam përjetuar, më kap ankthi. Pse e durova gjithë atë?”, shton ajo.

Fatima u largua nga Maroku për herë të tretë dhe shkoi të punonte si punëtore sezonale në Spanjë, me nxitjen e bashkëshortit të saj, i cili priste paratë që ajo do të dërgonte në shtëpi. Në vitin 2020, ajo ishte një nga mijëra gratë që shkuan për të mbledhur luleshtrydhe, të përgatitura për muaj të tërë pune të rëndë dhe largim nga familjet e tyre. Megjithatë, këto plane u shkatërruan nga pandemia e koronavirusit. Kur viza e saj e punës u anulua, Fatimja vendosi të qëndronte në Spanjë në vend që të kthehej në shtëpi duarbosh te bashkëshorti dhe katër fëmijët e saj, të cilët atëherë ishin nga shtatë deri në 26 vjeç. Ajo punoi në çdo punë jozyrtare që mundi të gjente: u kujdes për fëmijë dhe të moshuar, poçi bukë ose qepi këpucë. “Disa më paguanin, të tjerë jo”, shpjegon ajo.

Fatima e dinte se ishte në një pozitë shumë të pambrojtur. Pak njerëz në Spanjë flisnin gjuhën berbere, gjuhën e saj amtare të Afrikës Veriore, ndërsa ajo fliste shumë pak spanjisht ose arabisht. Babai e kishte larguar nga shkolla në moshën gjashtëvjeçare për ta detyruar të punonte në fermën familjare, duke e lënë analfabete.

FAKTET TRONDITËSE

Fillimisht, atë e ndihmonte vëllai i saj i cili jetonte në një fshat në një provincë tjetër të Spanjës. Por kur bashkëshortja e tij filloi të shqetësohej për rrezikun e strehimit të një personi pa dokumente, ai dëgjoi për një fermë në Kastilje dhe Leon që kërkonte një punëtore. “Dhe aty filloi makthi”, thotë Fatimja. Në fillim, familja që zotëronte fermën e trajtoi mirë atë dhe një grua tjetër marokene që punonte aty. Madje, ndonjëherë i ndihmonin edhe në ara. Gruaja tjetër i përkthente dhe e ndihmonte në gjithçka që Fatima nuk mund ta lexonte.

Megjithatë, kishte shenja se gjërat nuk ishin ashtu siç dukeshin. Ajo nuk mori kurrë ndonjë kontratë pune dhe u trondit kur mësoi se gruaja tjetër kishte marrëdhënie intime me një nga djemtë e familjes. Për tre muajt e parë mori vetëm tri pagesa nga 300 euro secila – shumë larg pagës minimale në Spanjë, e cila ishte rreth 1.425 euro në muaj. Më pas, sipas saj, nuk mori më asnjë pagesë. Familja i tha se nuk mund ta paguante, sepse shpenzimet për sigurimin e lejes së saj të qëndrimit ishin shumë të larta. Rreth 18 muaj pasi kishte nisur punën, gruaja tjetër mori dokumentet dhe u largua.

“Atëherë gjithçka ndryshoi”, thotë Fatima. Ajo mbeti e vetme për të bërë gjithçka: të transportonte ushqimin për kafshët, të milte delet dhe të mbillte e korrte tokën. Fatimja thotë se djali që kishte qenë në lidhje me gruan tjetër filloi t’i bënte presion për të kryer marrëdhënie seksuale me të dhe zemërohej kur ajo refuzonte. Ai dhe babai i tij, sipas saj, u bënë edhe fizikisht të dhunshëm, duke e rrahur dhe duke e kërcënuar se dhuna do të përshkallëzohej. “Një herë djali më kaloi me traktor mbi këmbë. E pyeta: ‘Pse po ma bën këtë?’ Ai më tha: ‘Ti e meriton këtë’ dhe se ‘me këtë traktor do të kaloj mbi ty dhe do të të shtyp’”. Ajo jetonte në një kasolle pa ngrohje, duke ngrirë gjatë netëve kur temperaturat zbrisnin deri në -6 gradë celsius. Një ngrohëse e vogël, që ia kishte dhuruar një burrë maroken i cili vinte herë pas here në fermë për të blerë qumësht, iu mor nga familja, tregon ajo.

PËRKEQËSIMI I SITUATËS

Kushtet u përkeqësuan edhe më shumë një natë, pasi ajo pyeti për pagat e papaguara dhe dokumentet e qëndrimit. Ajo kujton se babai dhe djali hynë në kasolle dhe thyen dritaret dhe dyert. “Pas kësaj ndihesha sikur flija mbi një mal akulli”, thotë ajo. Ajo jetonte pa ujë të pijshëm, përdorte një zorrë për ujitjen e tokës si dush të improvizuar dhe një gropë në tokë si tualet. “Nuk më shkonte ndër mend të kërkoja ndihmë. Vetëm mendoja: ‘Nëse duroj edhe pak, ndoshta do ta marr lejen e qëndrimit’”, thotë ajo. Asaj i lejohej të largohej nga ferma vetëm një herë në dy javë, kur e çonin në një supermarket të vogël në qytetin pranë. Pronarët e fermës e paralajmëronin të mos afrohej te policia, duke i thënë se çdo kontakt me autoritetet do të përfundonte me dëbimin e saj në Marok. “Gjithçka që mendoja ishte familja ime dhe fakti që nuk doja të kthehesha duarbosh në shtëpi”, thotë ajo.

Shpesh ishte e vështirë të gjente ushqim dhe e vetmja gjë që i ngjante një kuzhine ishte një sobë me dru. Ajo mbante fshehur një telefon celular nga pronarët e fermës dhe me të kontaktonte herë pas here familjen. “Ndonjëherë përplasja kokën pas murit”, kujton ajo. “Mendoja se ose do të largohesha prej andej me dokumente, ose e vdekur”, shton Fatima. Në fund të vitit 2023, policia mori informacion se një grua po mbahej dhe po shfrytëzohej në një fermë delesh. Rreth dy muaj më vonë, njësitë kundër trafikimit të qenieve njerëzore nga Burgosi dhe Valladolidi kishin mbledhur mjaftueshëm prova për të ndërhyrë, së bashku me inspektorët e punës.

Policia tha se e gjeti Fatiman në kushte të tmerrshme, duke jetuar pa energji elektrike dhe në një strehim të pashëndetshëm. Për Fatimen, pamja e policisë në fermë solli një ndjenjë të jashtëzakonshme gëzimi. “Mendova: ‘Le të ndodhë çfarë të ndodhë, por dua që kësaj t’i vijë fundi’”, thotë ajo, duke vlerësuar se ishte keqtrajtuar për rreth dy vjet pasi gruaja tjetër ishte larguar. Që nga shpëtimi i saj, Fatima e ka rindërtuar gradualisht jetën me ndihmën e “Adoratrices”, një urdhër fetar katolik që ndihmon gratë viktima të trafikimit të qenieve njerëzore. Organizata pagoi qëndrimin e saj në një bujtinë pas bastisjes së fermës nga policia dhe e mbështeti në rindërtimin e jetës në Spanjë, duke e ndihmuar të gjente punë, strehim dhe të ribashkohej me fëmijët e saj. “Kur e takuam, ishte e dërrmuar, e heshtur dhe me një shikim plot trishtim. Nuk donte të dilte nga dhoma, ndonjëherë nga frika. Tani është krejt ndryshe. Hyn në një dhomë dhe e ndriçon atë”, thotë për Fatiman, Consuelo, drejtuesja e “Adoratrices” në Burgos, e cila kërkoi të mos publikohej mbiemri i saj.

Fatimja e përshkruan mbështetjen që mori nga organizata si diçka që ia ndryshoi jetën. “T’i takoja ata ishte gjëja më e mirë që më ka ndodhur ndonjëherë”, thotë ajo. “Gjithçka tjetër ishte një makth”. Që nga zbulimi i rastit të saj, policia ka arrestuar tre burra të dyshuar për trafikim të qenieve njerëzore me qëllim shfrytëzimin për punë. Gjyqi pritet të nisë në muajt e ardhshëm. Fatima tani ka të drejtën ligjore për të punuar në Spanjë. “Pas gjithçkaje që kam kaluar, kam shumë besim te autoritetet. Shpresoj që drejtësia të vihet në vend”, thotë ajo. “Jam jashtëzakonisht krenare që arrita ta përballoj gjithë këtë. Tani jam e lumtur dhe mezi pres të nis një jetë të re dhe ta sjell familjen time këtu pranë meje”, shton ajo.

Related Articles

Back to top button
Close
Close