LajmeMaqedoni

Pothuajse çdo i treti fëmijë në RMV është në rrezik nga varfëria

Pothuajse çdo fëmijë i tretë në Maqedoninë e Veriut është në rrezik varfërie. Sipas analizës së UNICEF-it, rreth 120,000 fëmijë jetojnë në varfëri dhe vetëm një e treta e tyre marrin përfitime për fëmijë.

Rritja e kostos së jetesës po e zvogëlon më tej vlerën e ndihmës financiare që marrin familjet.

Për të ulur varfërinë e fëmijëve, UNICEF propozon futjen e një ndihme universale për fëmijë dhe përmirësimin e formave ekzistuese të mbështetjes për fëmijët dhe familjet.

Sipas raportit të fundit të UNICEF-it, edhe pse në vend ekzistojnë shërbime themelore si arsimi, kujdesi shëndetësor dhe mbrojtja sociale, fëmijët në nevojë përballen me pengesa të mëdha për t’i shfrytëzuar ato.

Këto pengesa burojnë kryesisht nga mungesa e përshtatjes së shërbimeve me nevojat specifike të fëmijëve më të cenueshëm, si fëmijët romë, ata me paaftësi, dhe fëmijët nga familje të varfra.

“Varfëria dhe përjashtimi ndikojnë ndjeshëm në jetën e fëmijëve duke penguar qasjen e tyre në shërbimet themelore sociale dhe mundësitë e zhvillimit. Pavarësisht disponueshmërisë së shërbimeve themelore si kujdesi shëndetësor, arsimi dhe mbrojtja sociale, fëmijët që përballen me varfëri dhe përjashtim hasin pengesa më të mëdha për shkak se sistemet nuk janë përshtatura me nevojat e tyre”, thuhet në dokumentin e UNICEF-it.

Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë thotë se përfitimet po rriten, por pranon se nevojiten masa shtesë. Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë (MPSDR) do ta udhëheqë formimin e një grupit shumësektorial të punës për ta zhvilluar Planin nacional të veprimit (PNV) me kosto të përcaktuar për zbatimin e Garancisë për fëmijë. Mes tjerash PNV do ta përfshijë një kornizë të fuqishme monitorimi dhe vlerësimi për ndjekjen e progresit dhe ndikimit.

Pasqyra e fëmijëve që jetojnë në varfëri dhe përjashtim social në Maqedoninë e Veriut

  • 1 në 3 fëmijë jetojnë nën pragun nacional të varfërisë, gjegjësisht 79% e fëmijëve romë. 40% e të gjithë fëmijëve përjetojnë varfëri shumëdimensionale.
  • Rreth 20,000 fëmijë nuk kanë sigurim shëndetësor  efektiv (nuk kanë qasje në kujdesin shëndetësor).
  •  Vetëm 9% e fëmijëve romë dhe fëmijëve nga kuantili më i ulët 3-6 vjeç janë të regjistruar në kopshte publike,
    krahasuar me 37% të popullsisë së përgjithshme.
  •  14,000 fëmijë nuk e ndjekin mësimin në arsimin fillor, 56% e fëmijëve romë e përfundojnë arsimin fillor
    krahasuar me 94% të popullsisë së përgjithshme.
  • Mbi 22,000 fëmijë në të gjithë vendin nuk e ndjekin arsimin e mesëm të detyrueshëm.
  • 40% e fëmijëve të familjeve më të varfra dhe 50% efëmijëve me paaftësi nuk kalojnë në arsimin e mesëm të
    detyrueshëm.
  • 1 në 4 fëmijë që janë të strehuar nën kujdesin formal janë fëmijë me paaftësi.
  • 73% e fëmijëve përjetojnë disiplinë të dhunshme në shtëpi.

Ekspertët paralajmërojnë se varfëria e fëmijërisë mund të ketë pasoja afatgjata në arsim, shëndetësi dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Ndryshe, varfëria dhe përjashtimi social nuk janë vetëm çështje statistike, ato përfaqësojnë një realitet të hidhur për mijëra fëmijë që nuk mund të ushqehen mirë, nuk marrin kujdes shëndetësor adekuat dhe nuk shkojnë në shkollë. UNICEF thekson se qasja ndaj kësaj sfide duhet të jetë holistike, ndërsektoriale dhe e orientuar drejt përfshirjes së çdo fëmije, pa përjashtim.

Kujtojmë se trafikimi i fëmijëve, shfrytëzimit seksual, trafikimi i fëmijëve me qëllim shfrytëzimi për punë, martesat e detyruara ekspolatimi i punëtorëve dhe lypja janë në rritje në Maqedoninë e Veriut, këtë e ka treguar studimi i mbështetur nga veprimi i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës. Në studim thuhet se numri më i madh i viktimave të zbuluara në 5 vitet e fundit janë fëmijët viktima të martesave të detyruara.

Related Articles

Back to top button
Close
Close