
Edon Murataj po rezulton një nga futbollistët më në formë të Vllaznisë gjatë kësaj faze përgatitore.
Mesfushori shkodran ka qenë vazhdimisht protagonist në ndeshjet miqësore të zhvilluara nga kuqeblutë, duke dhënë kontribut të rëndësishëm si me gola, ashtu edhe me asistime.
Thuajse në çdo test të verës, 24-vjeçari ka treguar cilësitë e tij teknike, duke qenë një nga lojtarët që ka spikatur më shumë në repartin ofensiv. Ky do të jetë sezoni i dytë i Muratajt me fanellën e Vllaznisë dhe pritshmëritë ndaj tij janë të mëdha. Edhe kampionatin e kaluar ai e nisi në mënyrë mjaft premtuese, duke qenë një nga elementët më të rëndësishëm në skemat e skuadrës.
Megjithatë, një dëmtim i pësuar në momentin kur po kalonte një formë shumë të mirë ia ndërpreu ritmin, duke mos e lejuar të shfaqte vazhdimësinë që pritej prej tij. Tashmë situata duket krejt ndryshe. Murataj ka lënë pas problemet fi zike dhe po stërvitet me intensitet maksimal, ndërsa paraqitjet e tij në miqësore tregojnë se është rikthyer në nivelin më të mirë.
Në kampin kuqeblu shpresojnë që këtë herë ai të arrijë të zhvillojë një sezon të plotë pa dëmtime, pasi cilësitë e tij mund të bëjnë diferencën në repartin ofensiv të skuadrës.
Një tjetër avantazh i rëndësishëm për trajnerin është edhe polivalenca e futbollistit shkodran. Murataj mund të aktivizohet si mesfushor qendror, në rolin e organizatorit të avancuar, por edhe në krahët e sulmit, duke ofruar alternativa të shumta taktike. Pikërisht kjo aftësi për t’u përshtatur në disa pozicione e bën atë një element shumë të vlefshëm në organikën e Vllaznisë.
Nëse do të arrijë të ruajë formën që ka shfaqur gjatë kësaj periudhe përgatitore, Murataj pritet të jetë një nga armët kryesore të Vllaznisë në sezonin e ri. Golat, asistet dhe kreativiteti që ka demonstruar gjatë verës janë sinjale pozitive për skuadrën shkodrane, e cila pret shumë nga 24-vjeçari në objektivat që ka vendosur për kampionatin e ri.



