LajmeMaqedoni

Mickoski: Pres zgjerim të hetimit për rastin me ujin në Gostivar

Kriza me ujin në Gostivar është shkaktuar nga puna e pakujdesshme e punonjësve të Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi”, të cilët transferuan drejtpërdrejt ujin nga një lumë në rezervuarin kryesor duke përdorur tuba dhe pompa. Këtë e deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski gjatë një vizite në Dibër, duke theksuar se Prokuroria po ndërmerr veprime dhe se tashmë ka persona që janë siguruar dhe marrë në pyetje.

“Pres që të ketë zgjerim të hetimit. Prgjegjësia është locuar dhe po ndërmerren masa”, tha ai.

Theksoi se tashmë është siguruar ujë teknik për përdorim, ndërsa për momentin po realizohet proces hiperklorinimi nga ekspertë të “Ujësjellësit” të Shkupit.

“Çdo ditë po merren dhe testohen mostra të ndryshme. Tashmë mund të them se po shkojmë drejt një situate kur ndoshta për herë të parë në dekadat e fundit në Gostivar, qytetarët do të jenë në gjendje të përdorin ujë të pijshëm që është bakteriologjikisht i sigurt. Lus për durim sepse kemi qasje serioze gjatë kryerjes së procesit. Pres që shumë shpejtë nga sot qytetarët të kenë edhe ujë për gatim dhe pije”, theksoi kryeministri.

Duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve lidhur me akuzat nga opozita se hiperklorinimin e ujit në Gostivar nuk e bëjnë profesionistë, Mickoski tha se procesin po e realizojnë ekspertë ga “Ujësjellësi” i Shkupit.

Më 17 korrik, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e ndaloi përdorimin e ujit për pije në Gostivar, pasi u zbulua një pompë që fuste drejtpërdrejt ujëra të ndotura në sistemin e ujësjellësit. Inspektorët e Agjencisë dolën në terren së bashku me policinë pas shtimit të raportimeve të qytetarëve për probleme me stomakun.

Disa ditë më vonë, drejtoresha e NP “Komunalec” në Gostivar dhe edhe dy të punësuar u arrestuan, ndërsa ndaj tyre u hap hetim për ndotjen e ujit në Gostivar. Ata dyshohen se, me lëndë të dëmshme, e kanë bërë të papërdorshëm ujin për pije në dhomën e tejmbushjes së sistemit që furnizon me ujë Komunën e Gostivarit dhe disa fshatra përreth. Sipas hetimit, më 25 qershor të dyshuarit kishin urdhëruar punonjësit të vendosnin tre pompa zhytëse në një kanal me ujë sipërfaqësor të ndotur pranë dhomës së tejmbushjes së ujit të pijshëm për të testuar presionin e ujit.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mori mostra të ujit, por edhe pse rezultatet e analizave ishin gati, Qeveria dhe Prokuroria nuk i publikuan menjëherë. Pas insistimit të gazetarëve, më 20 korrik Prokuroria Publike publikoi rezultatet, sipas të cilave uji në Gostivar ishte jashtëzakonisht i ndotur dhe nuk duhej të përdorej për asnjë qëllim.

Në ujë u zbuluan 2.419,6 cfu/100 ml baktere koliforme, ndërsa kufiri maksimal i lejuar është 50 cfu/100 ml. Në mostrat e marra nga burimi i ujit u konstatua gjithashtu numër i rritur i kolonive bakteriale aerobe mezofile dhe prani e baktereve koliforme, ku sipas standardeve duhet të ketë 0 cfu/100 ml, ndërsa në ujë u gjetën 39 cfu/100 ml. Bëhet fjalë për një ndotje jashtëzakonisht të lartë fekale të ujit të pijshëm.

Related Articles

Back to top button
Close
Close