
Një tragjedi ndodhi në Kroaci, ku tre persona humbën jetën në një zjarr që shpërtheu në mëngjes në një shtëpi familjare në Sveti Križ Začretje, në zhupaninë Krapina-Zagorje.
Sipas policisë së Krapina-Zagorje, njoftimi për zjarrin u mor rreth orës 7:20, kur u raportua tym i zi i dendur që dilte nga shtëpia dhe më parë ishte dëgjuar një shpërthim.
Zjarrfikësit mbërritën brenda pak minutash dhe e vendosën zjarrin nën kontroll shpejt. Ai u lokalizua plotësisht në orën 7:38, kur brenda shtëpisë u gjetën trupat e tre personave të vdekur.
Sipas portali lokal Zagorje.com, mes viktimave ishin babai dhe dy fëmijët e tij. Jozyrtarisht, njëri fëmijë ishte maturant, ndërsa tjetri kishte përfunduar shkollën fillore këtë vit.
Fqinjtë kanë thënë se pak para zjarrit dëgjuan tre të shtëna, pas të cilave shtëpia u ndez. Këto informacione nuk janë konfirmuar ende zyrtarisht nga policia.
Gruaja dhe nëna e fëmijëve nuk ishte në shtëpi në momentin e tragjedisë, sepse ishte në punë. Ajo mbërriti në vendngjarje pasi mësoi për zjarrin dhe ishte në gjendje shoku.
Policia dhe shërbimet kompetente po bëjnë hetimet për shkaqet e zjarrit dhe rrethanat e vdekjes së tre personave.



