
“Puna shkel e shko nuk kalon”, Avdullai: Gjithçka do të nis nga e para në Spitalin psikiatrik
Asnjë kompromis me cilësinë dhe asnjë tolerim për punime të kryera jashtë standardeve. Ky është qëndrimi i drejtorit të Spitalit psikiatrik – Shkup, Isa Avdullai, pas inspektimit të punimeve në këtë institucion.
Pas informatave të marra nga mbikëqyrësi i punimeve të firmës së kontraktuar i cili kishte shprehur pakënaqësi për cilësinë e realizimit, Avdullai ka dalë personalisht në terren për të parë gjendjen.
Konstatimi ka qenë alarmues: një pjesë e pllakave nuk ishin ngjitur sipas standardeve dhe sipas drejtorit, mund të largoheshin bile me dorë.
“Kjo është plotësisht e papranueshme”, është shprehur Avdullai, teksa ka bërë të qartë se në këtë institucion nuk do të tolerohen punime “shkel e shko”.
Përballë situatës së konstatuar, drejtori ka kërkuar që e gjithë pjesa e realizuar me probleme të largohet dhe të punohet nga e para, në përputhje të plotë me standardet profesionale dhe teknike.
Avdullai thekson se çdo investim në Spitalin Psikiatrik financohet me para të qytetarëve, ndaj përgjegjësia e tij është që çdo denar i buxhetit të përdoret me kujdes dhe të japë rezultat të merituar.
“Nuk po ndërtojmë vetëm mure të reja – po ndërtojmë besimin e qytetarëve se institucionet publike mund të menaxhohen me përgjegjësi, transparencë dhe pa asnjë kompromis”, ka thënë mes tjerash drejtori Avdullai.



