Rami Mislimi – Ahmetit dhe Limanit: Kur e kishi seriozisht. Dje kur shaheshi apo sot kur përqefoheni?

Para 4 viteve Izeti dhe Musa, para 3 viteve Bilalli, para 2 viteve Adnani, sot Alia te varri i Beqir Limanit!
Unë personalisht e kam ditur dhe e di se sa e flliqur është politika këtu tek na. Por kurrë militantët nuk e kanë kuptuar dhe gjithmonë tërhiqen nga ideologjitë dhe fjalimet e liderëve të tyre.
Unë sot ua prezantoj një fakt dëshpërues se sa e flliqur është politika dhe sa liderët e tyre shkelin mbi çdo gjë kur është në interesin e tyre.
Paramendoni, Fatmir Limani para disa viteve tha çka mundi kundër nipit të tij, Ali Ahmetit. Madje ngriti edhe dronin mbi familjen e tij dhe tha se djali i tij ecën para dite me Porsche, pas dite me Audi dhe në mbrëmje me Land Rover.
Në atë kohë ishte kundër nipit të tij, Ali Ahmetit, dhe i afërt me Izet Mexhitin dhe Musa Xhaferin, ndryshe “Grupi i Zjarrit”.
Në vitin 2022, Izet Mexhiti dhe Musa Xhaferi morën pjesë në përkujtimin e Beqir Limanit.(Foto dëshmi)
Pas një viti, Fatmir Limani u rreshtua zyrtarisht në Lëvizjen BESA dhe u vëllazërua me Bilall Kasamin dhe Adnan Azizin.
Edhe në kohën kur ishte në BESA, Limani shkoi aq larg sa në një media apo tubim u shpreh se kishte dyshime se Ali Ahmeti mund të ishte edhe vrasësi i babait të tij, Beqir Limanit.
Nga viti 2023 -2025 në përkujtimin e Beqir Limanit kanë qenë Bilall Kasami e Adnan Azizi (Foto dëshmi)
Deklaratat e Fatmir Limanit kanë qenë tronditëse, madje pati edhe momente kur tensionet familjare ishin shumë të mëdha.
Pas një viti në BESA dhe VLEN, Fatmir Limani u rikthye në gjirin e nipit të tij, Ali Ahmetit.
Dhe tash, pas gjithë atyre sharjeve, deklaratave skandaloze, akuzave, por edhe hidhërimeve te familjarët dhe simpatizuesit e VLEN-it dhe BDI-së, sot shohim Ali Ahmetin në përkujtimin e Beqir Limanit.
Ali Ahmeti kishte munguar 4 vite në këto përkujtime, pasi Limani dhe Ahmeti ishin edhe kundërshtarët më të mëdhenj politikë.
E sot unë, si simpatizues dhe qytetar i thjeshtë, shtroj një pyetje:
Si ta kuptojmë këtë afërsi që bëhet sot?
A e kishit seriozisht luftën atëherë, kur shaheshit dhe nxirreshit pisllëqet familjare e politike, apo sot kur përqafoheni?
Kjo është një politikë e flliqur që nuk pin ujë më!
Sepse dikur simpatizuesit kanë mundur edhe të vriten për shkak të grindjeve politike, ndërsa për interesa politike apo grupore ju bashkoheni. E simpatizuesi vazhdon të jetë i hidhëruar me një familjar të tij.
I ndatë edhe njerëzit nga familja, nga miqësia dhe nga shoqëria për shkak të bindjeve dhe ideologjisë, ndërsa ju pajtoheni dhe vazhdoni rrugën bashkë.
Andaj ju kam thënë gjithmonë, miqve të mi dhe shpesh herë edhe vetes.
Kurrë mos u hidhëroni për liderin apo partinë.
Sepse ata do të bashkohen kur t’u vije b*tha ngusht dhe kur të jetë në interesin e tyre.
Ndërsa ju do të ngelni të hidhëruar.
Mos e prishni familjen, miqësinë dhe shoqërinë për politikanët.
Sepse politika kalon, liderët ndryshojnë, partitë bëjnë marrëveshje dhe armiqtë e djeshëm bëhen miq.
Por hidhërimi mes njerëzve mund të mbetet përgjithmonë.
Liderët, partitë veprojnë vetëm nē bazë të interesit edhe ju veproni vetëm për interes!